Futboll

Neziri ëndërron kthimin në Bundesligë

rr

Behar Neziri ka deklaruar se vitet e kaluara te Bayern Munichu e kanë formësuar atë si futbollist dhe si person. Të kaluarën te klubi i madh gjerman, Neziri e ka vlerësuar lartë. Dhe ëndërr e tij mbetet kthimi në elitën gjermane, nëse jo te Bayern Munichu. 

Neziri tani është prej lojtarëve kryesorë të St. Gallenit, që është prej skuadrave pretendente për titull kampioni. 22-vjeçari luan si mesfushor defensiv, ndërsa ka paraqitje për grupmoshat e reja të Kosovës.

Ai vlerësohet edhe si lojtar me perspektivë të madhe për të ardhmen. 

Neziri në fakt e nisi zhvillimin te të rinjtë e Augsburgut, dhe deri në vitin 2023 ishte pjesë e klubit bavarez, ndonëse luajti për ekipin e dytë të skuadrës së madhe. Iu bashkua grupmoshës U21 të St. Gallenit dhe pas një viti u huazua te Ëili në kategorinë e dytë të futbollit zviceran. Te St. Galleni u kthye në verën e këtij viti dhe po shkëlqen me paraqitje. 

Ai e ka fituar besimin e plotë të trajnerit Enrico Maassen. 

“Me paraqitjet e tij, ai e ka të siguruar vendin e titullarit. Është i fortë në ndërhyrje dhe ka aftësi të mëdha organizative të lojës. Kontributi i tij ka bërë që skuadra të jetë lartë në tabelë”, ka shkruar mediumi “SRF” të shtunën. 

Se ka qenë shumë i rëndësishëm zhvillimi i tij te Ëili, e pranon edhe vetë mesfushori i talentuar. 

Lëvdata për të ka dhënë edhe trajneri Maassen. 

“Ai ka luajtur ndeshje shumë të mira, është i gjithanshëm, ka aftësi strategjike dhe mund të vrapojë shumë. Është i fortë në ndërhyrje”, ka deklaruar Maassen. 

Neziri me St. Gallenin ka kontratë deri në vitin 2028. Por, synimi i tij mbetet kthimi në elitën e futbollit gjerman, aty ku luajnë disa prej lojtarëve kosovarë. 

“Jam i rëndësishëm për ekipin sepse mundohem që t’i mbajë të gjithë të bashkuar dhe të sjellë mentalitetin e duhur në fushë. Në të ardhmen mund të kthehem në Bundesligë, gjerat mund të ndryshojnë shpejtë. Të gjithëve na lejohet të ëndërrojmë. Dhe ëndrrat të ndihmojnë që të luash në nivelet më të larta”, është shprehur Neziri. 

Neziri ishte në listën rezervë të përzgjedhësit Franco Foda, për duelet e muajit nëntor. Por, ende nuk e ka pasur rastin që të aktivizohet me Kosovën A.