Futboll

Nëse kualifikohet, Kosova do të jetë në vazon e katërt për shortin e Botërorit

FIFA

Federata Ndërkombëtare e Futbollit (FIFA) ka publikuar të martën vazot për shortin e Kupës së Botës 2026.

Kualifikimin në Botërorin që mbahet në SHBA, Meksikë dhe Kanada, e shpreson ende Kosova. Përfaqësuesja e Kosovës do të luajë në gjysmëfinale të plejofit për kualifikim në Botëror. Më 26 mars “Dardanët” luajnë me Sllovakinë në Bratislavë. Nëse fitojnë, më 31 mars presin Turqinë apo Rumaninë. Dhe me fitore edhe në atë ndeshje, do të kualifikoheshin në Botëror.

Nëse kualifikohet, Kosova do të jetë në vazon e katërt për short, bashkë me fituesit e tri plejofeve tjera evropiane, dy plejofeve ndërkontinentale dhe Jordaninë, Kepin e Gjelbër, Ganën, Kuraçaon, Haitin dhe Zelandën e Re.

Në vazon e parë janë Kanadaja, Meksika dhe SHBA-ja si nikoqire dhe po ashtu Spanja, Argjentina, Franca, Anglia, Brazili, Portugalia, Holanda, Belgjika dhe Gjermania.

Vazoja e dytë përbëhet nga Kroacia, Maroku, Kolumbia, Uruguai, Zvicra, Japonia, Senegali, Irani, Koreja e Jugut, Ekuadori, Austria dhe Australia.

Dhe vazoja e tretë përbëhet nga Norvegjia, Panamaja, Egjipti, Algjeria, Skocia, Paraguai, Tunizia, Bregu i Fildishtë, Uzbekistani, Katari, Arabia Saudite dhe Afrika e Jugut.

Shorti i Botërorit tërhiqet më 5 dhjetor.

Ky do të jetë Botërori i parë në histori me plot 48 përfaqësuese. Do të formohen 12 grupe me nga katër përfaqësuese. Në Botëror, dy të parët në grup avancojnë në 1/16 e finales, bashkë me tetë përfaqësueset më të mira të vendit të tretë, prej 12 grupeve gjithsej.

Ceremonia e shortit, që pritet të jetë madhështore, do të mbahet në Washington. Do të marrin pjesë delegacionet e federatave të kualifikuara dhe atyre që janë ende në garë. Pra edhe delegacioni i Kosovës.

FIFA është kujdesur që ndarja në grupe të jetë e tillë që përfaqësueset favorite mos të përballen deri në fazë të vonshme të Botërorit. Ndarja në vazo është bërë në bazë të ranglistës së fundit të FIFA-s.

Kualifikimi eventual i Kosovës, por edhe i Shqipërisë, në Botëror, do të ishte sukses historik.