Pas dy fitoreve radhazi në Serie A, Juventusi është kthyer në katër pozitat e para në tabelë.
Juve ka 45 pikë në vendin e katërt. Plotë dhjetë pikë është prapa liderit, Interit.
Juventusin, skuadrën ku aktivizohet sulmuesi i Kosovës, Edon Zhegrova, të dielën nga ora 20:45 e pret ndeshje e vështirë ndaj Lazios.
Ky ballafaqim është i vlefshëm për xhiron e 24-t të kampionatit italian.
Juve të enjten u eliminua nga Kupa e Italisë. Në çerekfinale u mposht nga Atalanta me rezultatin e thellë, 3:0.
Lazio ka 32 pikë dhe e zë vendin e tetë. Po lufton për të dalë në gjashtë pozitat e para që dërgojnë edicionin e ardhshëm në garat evropiane.
Lazio në pesë ndeshjet e fundit në kampionat ka dy fitore, dy barazime dhe një humbje.
“Zonja e Vjetër” ka fituar dhjetë nga 18 takimet e fundit ndaj Lazios.
Në total mes dy skuadrave janë zhvilluar 197 ndeshje. Juve prin me 102 fitore. Lazio ka 50 fitore, kurse 45 ndeshje kanë përfunduar pa fitues.
Ndërkohë të dielën nga ora 18:00 luan lideri, Interi, si mysafir ndaj Sassuolos. Pjesë e Sassuolos është portieri i Kosovës, Arijanet Muriq. Sassuolo ka 29 pikë në vendin e 11-të.
Kampioni në fuqi i Italisë, Napoli, të shtunën nga ora 18:00 luan në udhëtim te Genoa. Napoli është në pozitën e tretë me 46 pikë. Genoa e zë vendin e 14-të me 23 pikë.