Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Ndjenja të përziera te Sllovenia pas eliminimit nga Evropiani

Sllovenia

Përzgjedhësi i Sllovenisë, Matjazh Kek, shpreson që paraqitja në “Euro 2024” do të jetë bazë e fortë për sukseset e ardhshme të Përfaqësueses.

Sllovenia u ndal në mënyrë dramatike në një të tetën e finales në Evropianin në Gjermani. U mposht në penallti nga Portugalia me rezultatin 3:0. Sllovenët do të ishin duke festuar nëse Benjamin Sheshko do të shënonte në rastin ideal që e pati pak para fundit të vazhdimit të dytë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Selektori Kek u përjashtua me të kuq në vazhdime, pasi Portugalisë iu dha një penallti e lehtë. Goditjen e Cristiano Ronaldos e priti portieri cilësor slloven, Jan Oblak.

Por në serinë e penalltive, Diogo Costa i Portugalisë ishte vendimtar. Ai nuk u mposht në asnjë prej tri gjuajtjeve të sllovenëve.

Josip Iliçiq, Jure Balkovec dhe Benjamin Verbiq nuk ia dolën përballë Costas. 

“Ne ndiejmë hidhërim, por me aq shumë ëmbëlsi nga ana tjetër”, ka thënë Kek pasi paraqitja e parë e Sllovenisë në fazën nokaut përfundoi me zhgënjim.

“Shpresojmë se ky turne do të jetë pikënisje për të ardhmen e futbollit slloven”, ka shtuar Kek.
Sllovenët për kohë të gjatë do të bëjnë pyetjen se cila do të ishte rrjedha e Evropianit nëse Sheshko do të gjuante pak më larg Costas. 

Paraqitja ndaj Portugalisë, megjithatë, vlerësohet lart, njëjtë si ato ndaj Anglisë, Serbisë e Danimarkës. Në tri ndeshjet në grup, Sllovenia barazoi.

“Për atë që kemi thënë se është synimi ynë për Evropian, mendoj se i kemi tejkaluar pritjet”, ka shtuar selektori slloven.

“Ky është realiteti i futbollit slloven. Lojtarët janë të disiplinuar, të motivuar dhe agresivë. Ata e duan fanellën dhe kanë kualitet”, ka thënë Kek.

Portieri Oblak e ndali gjuajtjen e parë nga pika e bardhë të Ronaldos, por pas 120 minutave nuk ia doli në tri përballjet me portugezët.

“Për fat të keq nuk ka përfunduar si kemi dashur. Tifozët tanë ishin të jashtëzakonshëm, kështu që për këtë e kemi edhe më të vështirë që nuk ia dolëm. Na ka munguar fati”, ka thënë Oblak.