Manchester Unitedi nuk ka arritur që t’i fitojë pikët e plota të dielën pasdite në ndeshjen e cila ishte e vlefshme për xhiron e 20-të të Premier Leagues.
Unitedi është ndalur në barazim 1:1 nga Leeds Unitedi në udhëtim. Për “Djajtë e Kuq” është barazimi i dytë rresht në kampionat. Ndërkohë për Leedsin është barazimi i tretë radhazi.
Vendësit kaluan në epërsi në minutën e 62-të me golin që e shënoi mesfushori 25-vjeçar, Brenden Aaronson.
Gëzimi i futbollistëve të Leedsit nuk zgjati shumë pasi tre minuta më pas, sulmuesi brazilian, Matheus Cunha, i barazoi shifrat.
Unitedi ka 31 pikë dhe është lartë në tabelë. Leedsi është në pjesën e poshtme me 22 pikë.