Ylli kroat i futbollit, Luka Modriq, mbeti i impresionuar nga takimi me Igli Taren në Kroaci. Modriq iu bashkua Milanit si lojtar i lirë pas përfundimit të kontratës me Real Madridin. Ai me klubin italian ka nënshkruar kontratë njëvjeçare me mundësi vazhdimi edhe për një vit tjetër. Modriq ka zbuluar se Milani ka qenë klubi i tij i preferuar në fëmijëri. Madje është zbuluar edhe një fotografi nga fëmijëria e Modriqit me fanellë të Milanit.
“Në atë kohë, ne në Kroaci e ndiqnim shumë Milanin sepse ishte një nga klubet më të njohura në botë dhe gjithashtu sepse aty ishte Bobani, i cili ishte i preferuari im. Tani jam shumë i lumtur që jam këtu dhe mezi pres këtë aventurë të re”, ka thënë Modriq në intervistën e parë për kanalin zyrtar të Milanit.
Legjenda e Real Madridit ka treguar pse zgjodhi t’i bashkohet Milanit.
“Doja të qëndroja në Evropë për të vazhduar të luaja futboll profesional. Kisha oferta të tjera, por kur erdhi oferta e Milanit e kisha të qartë. Isha gati që nga momenti i parë. Më bëri përshtypje edhe fakti që drejtori sportiv Tare erdhi në Kroaci për të më prezantuar projektin e Milanit. Ishte e rëndësishme të tregonin se sa shumë më donin. Milani është një nga klubet më të mëdha në Evropë”, është shprehur Modriq.
39-vjeçari ka fituar gjashtë herë Ligën e Kampionëve me Realin. Me Kroacinë luajti në finale të Kupës së Botës në vitin 2018.