Ylli i Milanit, Luka Modriq, ka dhënë një intervistë të gjatë për “Corriere Della Sera”.
Në intervistë, ikona kroate e futbollit ndër të tjera foli për gjyshin që ia vranë çetnikët serbë.
Edhe gjyshi i Modriqit e ka pasur emrin Luka.
“Gjyshin tuaj e vranë çetnikët serbë?”, ishte pyetja për Modriqin.
“Nuk dua të flas për këtë. Më hap një plagë të madhe”, ka thënë Luka Modriq.
“Kjo ndodhi në vitin 1991. I kisha gjashtë vjet. Një mbrëmje gjyshi nuk u kthye në shtëpi. Shkuan që ta kërkojnë. E pushkatuan në fushë, afër rrugës. I kishte 66 vjet. Askujt asgjë të keqe nuk i kishte bërë. E kujtoj atë moment. Babai më dërgoi para kufomës dhe më tha: ‘djali im, jepja gjyshit një puthje’. Edhe sot pyes: si mund të vritet një njeri i mirë, një njeri i drejtë? Pse?”.
Gazetari italian më pas e ka pyetur Modriqin se pse ia vranë gjyshin.
“Sepse ishte luftë. Babai im ishte vullnetar. Ne është dashur t’i lëmë të gjitha. Shokët, ndjenjat, gjërat. Fillimisht kemi ikur në Makarska, në një kamp për refugjatë. Më pas në Zarë”, ka treguar Modriq.
Ai ka pranuar se ndeshjet kundër Serbisë nuk janë të zakonshme.
“Kam luajtur dy herë kundër saj, në vitin 2013 në kualifikime për Botëror. Në Zagreb 2:0 për ne, në Beograd 1:1. Në të dy ndeshjet atmosfera ishte jashtëzakonisht e vështirë. Nuk ishin ndeshje normale, lufta ndihej ende dhe ende ndihet. Mendoj se gjithnjë do të jetë kështu”, ka thënë legjenda kroate.