Mesfushori kroat i Milanit, Luka Modriq, ka deklaruar se mungesa eventuale e Italisë në Kupën e Botës 2026, do të ishte tragjedi.
Italia do ta kërkojë Botërorin e vitit të ardhshëm në Kanada, Meksikë dhe SHBA nëpërmjet plejofit.
Në gjysmëfinale, Italia do të takohet me Irlandën e Veriut më 26 mars, ndërsa fituesi luan në finale me përfaqësuesen më të mirë të ndeshjes Uellsi – Bosnjë-Hercegovina.
“Do të ishte tragjedi nëse Italia mungon për Botërorin e tretë rresht. Shpresoj që Italia të kualifikohet sepse përfaqësueset më të mira do të jenë në Botëror dhe Italia është në mesin e më të mirave. Plejofi gjithmonë është i vështirë, por uroj më të mirën për Italinë”, ka deklaruar Modriq të premten në një intervistë për “La Gazzetta dello Sport”.
Kroacia e Modriqit është në Grupin L në Botëror, me Anglinë, Ganën dhe Panamanë. Italia nëse kualifikohet do të luante me Kanadanë, Zvicrën dhe Katarin në Grupin B.