Federata e Futbollit e Sllovenisë të hënën njoftoi se i ka shitur të gjitha biletat për ndeshjen e 15 nëntorit ndaj Kosovës, që zhvillohet në Lubjanë.
Por nuk janë shitur ende biletat që i takojnë Federatës së Futbollit të Kosovës. Bëhet fjalë për 800 bileta, interesimi për të cilat është shumë i madh.
Shumë mbështetës të Kosovës, nga vendi e nga shtete të ndryshme evropiane, shpresojnë të jenë në stadiumin “Stozhice”, ku përfaqësuesja mund ta sigurojë plejofin e ndoshta të bëjë hap vendimtar drejt Botërorit 2026. Rreth 10 mijë qytetarë vlerësohet se janë të interesuar për ta përkrahur Kosovën në Slloveni.
Për interesimin e madh të tifozëve të Kosovës të hënën kanë raportuar edhe në Slloveni. Udhëheqësi i tifo-grupit "Dardanët", Lulzim Berisha, të martën për KOHËN ka thënë se ka interesim të jashtëzakonshëm për ta përkrahur Kosovën. “Dardanët” janë tifozët zyrtarë të Kosovës.
"Deri tash që po flasim, në faqen zyrtare, por edhe në faqen time, janë mbi 10 mijë kërkesa nga Kosova, Sllovenia, por edhe shtetet e tjera të Evropës. Kërkesat janë të mëdha, por ne duhet të bëjmë përzgjedhjen sepse për ne është ndeshje shumë e rëndësishme", ka thënë Berisha.
Biletat për sektorin e Kosovës ende nuk janë nxjerrë në shitje. FFK-ja nuk ka lëshuar ende ndonjë njoftim për to.
"Biletat që i kemi të garantuara nga federata sllovene ende nuk na janë lëshuar. Ligjërisht na takojnë 800 bileta, por ende nuk na kanë njoftuar. Besoj se në ditët në vijim do të kemi në dispozicion biletat dhe më pas ne do të bëjmë përzgjedhjen", është shprehur Berisha.
Është pritur interesim i madh pas rezultateve pozitive të Kosovës, sidomos pas fitores në Goteborg ndaj Suedisë. Kosova kishte përkrahje të madhe edhe në Goteborg.
Shumë flamuj të Kosovës dhe flamuj shqiptarë janë shfaqur në të gjitha tribunat e stadiumit. Por, flamuj të Kosovës dhe shqiptarë në ndeshjen në Slloveni do të lejohen vetëm në tribunën ku do të jenë të vendosur tifozët mysafirë. Për tribunat e tjera hyrja do të lejohet vetëm me flamuj dhe simbole të Sllovenisë, ka njoftuar federata sllovene.
“Stozhice” ka kapacitet prej 16 mijë e 38 ulëseve.