Mbi 200 mijë njerëz kanë aplikuar për të siguruar bileta për ndeshjen Shqipëri – Serbi, e cila do të zhvillohet në Arenën Kombëtare në Tiranë, më 7 qershor.
Interesimin e madh për ta parë nga afër ndeshjen ndaj Serbisë e ka bërë të ditur të enjten sekretari i përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Futbollit, Ilir Shulku.
Ai në një intervistë për “Top-Channel” ka theksuar se të enjten mbyllet procesi i aplikimeve, ndërsa fituesit do të përzgjidhen në mënyrë automatike. FSHF-ja më herët kishte bërë të ditur se pagesa mund të bëhet deri më 2 qershor.
Ndeshja Shqipëri – Serbi u takon kualifikimeve për Botërorin 2026. Si për Shqipërinë ashtu edhe për Serbinë vlerësohet ndeshje vendimtare në garën për pozitën e dytë në Grupin K. Anglia është favorite për vendin e parë. Nga dy ndeshje ka fituar gjashtë pikë. Në grup janë edhe Letonia dhe Andorra.
“Ka mbetur edhe një ditë nga prenotimi i biletave që është data 30 maj, pasi procesi i prenotimit ka filluar më 15 maj dhe ndryshe nga ndeshjet e tjera këtë herë ka pasur një kërkesë mbi 200 mijë bileta, ndërkohë që kapaciteti i stadiumit është 22 mijë vende. Për të hyrë në stadium do të duhet që sportdashësit të kenë me vete edhe një kartë ID që korrespondon me emrin në biletë, përndryshe nuk do të futen dot”, ka thënë sekretari i përgjithshëm i FSHF-së.
Në fakt, ishte pritur interesim i madh për këtë ndeshje, sidomos në Kosovë. 20 për qind e stadiumit nuk do të jetë e mbushur me tifozë të zakonshëm, për shkak të një dënimi të FIFA-s ndaj FSHF-së. Ajo pjesë e stadiumit mund të mbushet me grupe të caktuara të komunitetit, duke plotësuar kushte të caktuara nga FIFA. Mbyllja e 20 për qind të stadiumit bën që konkurrenca për një biletë të jetë edhe më e madhe.
Shqipëria tashmë i ka luajtur dy ndeshje kualifikuese për Botërorin 2026. U mposht 2:0 nga Anglia në udhëtim dhe fitoi 3:0 ndaj Andorrës në Tiranë, më 24 mars. Pikërisht në atë ndeshje në Tiranë kishte fyerje ndaj serbëve, për të cilat FIFA e dënoi Federatën Shqiptare.
Për Serbinë ndeshja në Tiranë do të jetë e para e këtyre kualifikimeve.
Shulku ka konfirmuar se kanë planifikuar masa të jashtëzakonshme sigurie për të garantuar një mbrëmje sportive të qetë dhe pa incidente.
“Po kemi pasur disa takime me drejtuesit e policisë dhe më i fundit ishte dje, pasi kjo ndeshje konsiderohet me risk të lartë dhe këtë herë policia do të ketë masa shumë të rrepta dhe do të ketë disa rrethime kontrolli”, është shprehur Shulku.
Shqipëria e Serbia janë përballur në kualifikimet për “Euro 2016”. Ndeshja në Beograd, më 14 tetor 2014, u ndërpre pasi huliganët dhe lojtarët serbë sulmuan lojtarët e Shqipërisë. Ajo ndeshje në fund ishte regjistruar me rezultatin 3:0 në të mirë të Shqipërisë.
Më 8 tetor 2015 në Elbasan, Serbia kishte fituar 2:0 ndaj Shqipërisë. Ndeshja ishte zhvilluar në masa shumë të rrepta të sigurisë dhe nuk u ka ngjarë ndeshjeve të zakonshme të kuqezinjve. Atmosfera, për shkak të masave, ishte shumë e zbehtë dhe kjo kishte ndikimin në paraqitjen në fushën e blertë.
Shqipëria ishte kualifikuar në Evropian, ndërsa Serbia kishte mbetur e parafundit në grup.
Shulku beson në fitoren e Shqipërisë.
“Ndonjëherë ngarkesa të tilla e kalojnë cakun dhe nuk bën mirë, por lojtarët tanë aktivizohen në klube të rëndësishme në Evropë dhe patjetër që unë jam optimist dhe besoj se i kemi të gjitha shanset për të fituar”, ka shtuar Shulku.
Shqipëria tashmë i ka luajtur dy ndeshje në kualifikimet për Botërorin 2026. Më 21 mars pësoi 2:0 nga Anglia në “Wembley”. Më 24 mars fitoi 3:0 në Tiranë ndaj Andorrës. Për Serbinë, ndeshja me Shqipërinë do të jetë e para e këtyre kualifikimeve.