Mbrojtësi i Zelandës së Re, Tim Payne, është bërë superyll i papritur i futbollit pasi një “influencer” nga Argjentina u bëri thirrje ndjekësve të tij të bashkohen dhe ta bëjnë 32-vjeçarin pak të njohur në hero të Kupës së Botës që fillon më 11 qershor.
El Scarso, “influencer” i futbollit, i njohur edhe si Valen Scarsini, e identifikoi Paynen si “lojtarin më së paku të njohur” në Kupën e Botës në SHBA, Kanada e Meksikë, duke u bazuar në numrin e vogël të ndjekësve në rrjetet sociale.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoPayne kishte rreth 4700 ndjekës në “Instagram” më herët këtë javë. Pasi u veçua nga El Scarso, numri është rritur me shpejtësi të madhe. Mbi 1000 ndjekës i janë shtuar mesatarisht çdo minutë dhe të premten në mëngjes i kishte 1,4 milionë ndjekës.
Payne tani ka shumë më tepër ndjekës se kapiteni i Zelandës së Re dhe lojtari i njohur, sulmuesi i Nottingham Forestit, Chris Wood.
“Kanë mbetur vetëm pak ditë deri te fillimi i Kupës së Botës dhe të gjithë po presim të bëjmë tifo për ekipin tonë nacional. Por çka do të ndodhte nëse do të kishte një lojtar që do të na bashkonte të gjithëve, një futbollist që të gjithë e mbështesim pavarësisht nacionalitetit të tij?”, pyeti Scarsini.
“Kërkova në të gjitha ekipet përfaqësuese që luanin në Kupën e Botës për lojtarin që ishte më pak i njohur. Dhe pasi i analizova një nga një, e gjeta. Në Grupin G, te Zelanda e Re, është Tim Payne. Ai është me të vërtetë më së paku i njohur. Ai nuk i ka as 5000 ndjekës”.
Scarsini, i cili i ka mbi 500 mijë ndjekës, u kërkoi atyre të fillojnë të përmendin Tim Paynen kudo.
“Duhet të fillojmë të bëjmë video që ushqejnë legjendën e Tim Payne. Nëse keni albume me fotografi ngjitëse të Kupës së Botës, ngarkoni një foto me ngjitësen e tij. Qëllimi është të shohim se sa njerëz e njohin Tim Paynen para se të fillojë Kupa e Botës”.
Tani ka edhe një këngë në mbështetje të Payne, i cili i ka 50 paraqitje për Zelandën e Re, kurse kishte debutuar në moshën 17-vjeçare. Kënga është në gjuhën spanjolle.
Payne iu përgjigj të premten fansave të tij të rinj në mediat sociale.
“Po pyesja veten pse rrjetet e mia sociale po mbusheshin dhe gjeta postimin tënd. E vlerësoj dashurinë! Faleminderit vëlla”, shkroi lojtari.
Ai ka shtuar se ishin 48 orë të çmendura. Payne ndihet krenar që e përfaqëson Zelandën e Re dhe vlerësues për dashurinë që po e merr nga e gjithë bota.
Zelanda e Re luan në Botëror për herë të tretë. Ende nuk ka fituar asnjë ndeshje.