Malisheva ka shkruar histori për të keq të enjten mbrëma. Malisheva ka pësuar 8:0 nga Vikinguri në Reykjavik të Islandës.
Pos humbja bindshëm më e thellë e mbrëmjes në garat evropiane, është edhe humbja më e thellë e skuadrave kosovare në gara kontinentale.
Ishte ndeshja e kthimit e raundit të parë kualifikues të Ligës së Konferencës. Ndeshja në Prishtinë kishte përfunduar 1:0 në të mirë të Vikingurit, ndërsa malishevasit kishin shpresë për përmbysje të rezultatit në ndeshjen e dytë. Kjo megjithatë nuk ishte as afër.
Malishevasit kanë pësuar plot tetë gola për humbje turpëruese.
Në Islandën e largët përfundoi udhëtimi evropian i Malishevës për këtë edicion.
Radha për Thorkelsson, Malisheva po pëson 8:0
Malisheva po mposhtet 8:0 nga Vikinguri.
Golin e tetë e realizoi Thorkelsson në minutën e 82-të.
Vikinguri shtatë, Malisheva zero
Nuk ndalen golat në Reykjavik, përkatësisht në portën e Malishevës.
Për 7:0 në të mirë të Vikingurit shënoi Jonasson nga penalltia në minutën e 72-të. Agon Xhaka u ndëshkua me të kuq për lojë me dorë.
Malisheva e pëson edhe golin e gjashtë
Malisheva vazhdon të pësojë gola në Reykjavik.
Tashmë po pëson 6:0. Golin e gashtë për Vikingurin islandez e realizoi Ingimundarson në minutën e 68-të.
Malisheva po turpërohet, 5:0
Malisheva po pëson shumë thellë nga Vikinguri në Reykjavik.
Tashmë rezultati është 5:0 për islandezët. Ende nuk ka përfunduar pjesa e parë. Hafsteinson shënoi golin në minutën e 42-të.
Malisheva po “shkatërrohet” në Islandë, 4:0
Malisheva po pëson 4:0 nga Vikinguri në Islandë.
Hansen ka kompletuar “hat-trickun” në minutën e 36-të.
Malisheva po mposhtet thellë në Islandë
Malisheva tashmë po pëson 3:0 nga Vikinguri në Reykjavik të Islandës.
Golin e tretë e shënoi Oliver Ekroth në minutën e 29-të. Më shumë ishte ndërhyrje e dobët e portierit Ilir Avdyli pas një gjuajtje të zbehtë të Ekrothit.
Malisheva pëson edhe golin e dytë
Malisheva po pëson 2:0 nga Vikinguri islandez. Sërish realizoi shtatlarti Nikolaj Hansen, në minutën e 21-të.
Malisheva e pëson golin e parë
Malisheva e ka pësuar golin e parë në përballje me Vikingurin e Islandës. Malisheva po e luan në Reykjavik ndeshjen e kthimit të raundit të parë kualifikues të Ligës së Konferencës.
Ndeshjen e parë të luajtur në Prishtinë e humbi 1:0.
Nikolaj Hansen shënoi për 1:0 në të mirë të Vikingurit në minutën e 11-të.
Formacioni i Malishevës ndaj Vikingurit
Malisheva ka publikuar formacionin për ndeshjen ndaj Vikingurit. Ndeshja nis në orën 20:45.
