Shqipëria dhe Letonia përballen në “Air Albania” në ndeshjen kualifikuese për Kupën e Botës 2026. Shqipërisë i duhet fitorja për të mbetur në garë për kualifikim. Gjithçka që ndodh para, gjatë dhe pas ndeshjes mund të përcillni këtu

Sylvinho krenar me lojtarët

2 o. më parë / 9 sht 2025 23:25
Sylvinho

Seleksionuesi i Shqipërisë, Sylvinho, ka thënë se është krenar me paraqitjen e lojtarëve. 

Ai ka thënë se Letonia është kundërshtare e vështirë dhe tri pikët e fituara janë të vlefshme. 

Shqipëria triumfoi 1:0 në “Air Albania” të martën ndaj Letonisë. 

“Është kundërshtar i vështirë. Janë këto ndeshje që nëse nuk e shënon golin e dytë për ta mbyllur ndeshjen, rrezikon shumë.  E kemi vënë re se Letonia që në dy-tri mundësi që ka është e rrezikshme. Kumbulla ndoshta është dashur të përfshihet më herët në lojë. Për ndryshimet në formacion, bëmë ndryshime me Bajramin. Për Gjimshitin dhe Ajetin i jap merita edhe ekipit kundërshtar. Ishte një lloj hezitimi për ta nxjerrë Brojën më herët nga loja, pasi në këtë mënyrë mund të afrohej kundërshtar me zonën tonë. Broja në pjesën e dytë ka pasur disa hapësirë. Ka pasur disa kundërsulme të mira. Në Kombëtare ke mundësi të luash gjashtë-shtatë herë në vit. Broja nuk është nëntëshe tipike. Shfrytëzon hapësirat në fushë dhe depërton brenda”, tha Sylvinho. 

Ai ka thënë se shpejt do të nisë puna për ndeshjen e tetorit kundër Serbisë.

“Jam shumë krenar për lojtarët e mi. Kemi stërvitur dhjetë ditë për këto dy ndeshje. E kemi parë ndeshjen e kaluar të Letonisë me Serbinë. Nuk mund të them që e kam në mendje fitoren. Pas dy-tri ditësh fillon puna për ndeshjen me Serbinë, pasi të analizojmë ndeshjen e sotme.  Asllani është djalë shumë i mirë. Ka bërë rrugëtim shumë të mirë me Kombëtaren tonë. Jam i kënaqur edhe me Nedim Bajramin. Ai dhe Asani po punojnë shumë fortë”, tha Sylvinho. 
 

Elseid Hysaj: Futbolli ka ndryshuar, nuk ka përfaqësuese të vogla

2 o. më parë / 9 sht 2025 23:08
Elseid Hysaj

Mbrojtësi i Shqipërisë, Elseid Hysaj, ka thënë se në kohët aktuale nuk ka më skuadra të vogla në futboll.

Shqipëria mposhti minimalisht Letoninë 1:0 të martën në kualifikimet për Botërorin 2026.

“Futbolli ka ndryshuar shumë. Nuk ka më skuadra të vogla. Të gjithë dinë të luan futboll. Duhet të brengosemi pse nuk e mbyllëm ndeshjen më herët. Por e kemi në gjak që të vuajmë pak. Pa vuajtje nuk arrijmë asgjë. Nuk kemi nevojë që të flasim për këtë ndeshje. E ndiem shumë. Duhet të marrim sa më shumë minuta në kampionat dhe të jemi të gatshëm për atë ndeshje”, ka thënë Hysaj, duke komentuar ndeshjen e ardhshme, atë me Serbinë në Beograd.

Qazim Laçi: Ende po na mungon finalizimi, shpresojmë të shënojmë me Serbinë

3 o. më parë / 9 sht 2025 23:02
Laci

Mesfushori Qazim Laçi ka thënë se Shqipërisë po i mungojnë finalizimet e rasteve. 
Shqipëria fitoi të martën 1:0 në shtëpi ndaj Letonisë. 

“E kemi ditur se duhet patjetër të fitojmë. Në pjesën e parë kemi krijuar shumë raste. Si gjithnjë na mungon pak finalizimi. Kemi folur për këtë. Nuk është e lehtë kur kundërshtari mbrohet me pesë lojtarë. Si ndaj Serbisë, edhe sonte nuk ishte e lehtë.  Por jemi shumë të kënaqur me paraqitjen. Kemi dëshirën dhe kemi krijuar rastin”, tha Laçi. 

Ai shpreson që ndaj Serbisë në tetor do të kthehen golat.  

“Shpresojmë që golat të vijnë në ndeshjen me Serbinë.  Ndeshjen me Serbinë duhet ta marrim me mend. E kemi dëshmuar se nuk kemi frikë nga ndeshjet me Serbinë. Duhet të punojmë në finalizim. Çdo aksion që e kemi ta shfrytëzojmë”, tha Laçi. 
 

Nedim Bajrami: Në Beograd do të kërkojmë tri pikë

3 o. më parë / 9 sht 2025 23:00
Nedim Bajrami

Mesfushori i Shqipërisë, Nedim Bajrami, ka thënë se kombëtarja shqiptare në futboll do t’i kërkojë pikët e plota nga përballja me Serbinë në Beograd në tetor, në kualifikimet për Botërorin 2026.

Shqipëria mposht të martën Letoninë 1:0. Bajrami pas ndeshjes ka thënë se janë të lumtur për fitoren.

“Do ta marrim këtë fitore për rrugën tonë. Për Kombëtare jam gjithnjë gati. Ky ishte shansi im, ndonëse nuk kam luajtur shumë së fundi. Besoj se e kam shfrytëzuar. Besoj se kemi bërë analizën e mirë. Jemi shumë të lumtur për fitoren. E rëndësishme të kthehemi nëpër klube, të fokusohemi atje”, ka thënë ai pas ndeshjes.

Bajrami e ka cilësuar të madhe ndeshjen me Serbinë.

“Më pas të kthehemi në Kombëtare, të vetëdijshëm se kemi ndeshje të madhe. Do të synojmë të marrim tri pikë ndaj Serbisë”, ka shtuar ai.

Shqipëria e Serbia barazuan pa gola në ndeshjen e zhvilluar në Tiranë.

Me fitoren ndaj Letonisë, Shqipëria doli në vendin e dytë në Grupin K. E zhvendosi Serbinë në vendin e tretë.

Shqipëria i ka tetë pikë nga pesë ndeshje, ndërsa Serbia mbetet me shtatë pikë nga katër ndeshje. Në grup udhëheq Anglia me 15 pikë. Letonia i ka katër e Andorra është pa pikë.

Shqipëria mposht Letoninë, e kalon Serbinë

3 o. më parë / 9 sht 2025 22:38
Asllani

Shqipëria është kthyer në garë për kualifikim në Kupën e Botës së vitit të ardhshëm.

Të martën mbrëma në stadiumin “Air Albania” në Tiranë, kuqezinjtë fituan 1:0 ndaj Letonisë. Me këtë fitore, Shqipëria doli në vendin e dytë në Grupin K. E zhvendosi Serbinë në vendin e tretë.

Shqipëria i ka tetë pikë nga pesë ndeshje, ndërsa Serbia mbetet me shtatë pikë nga katër ndeshje. Në grup udhëheq Anglia me 15 pikë. Letonia i ka katër e Andorra është pa pikë.

Një gol nga penalltia e vendosi sfidën mes Shqipërisë dhe Letonisë. 

Kristjan Asllani shënoi me goditje nga pika e bardhë në minutën e 25-të. Penalltia u dha për lojë me dorë të letonezëve.

Shqipëria kishte edhe raste të tjera, por pa konkretizuar më. Rastet i kishte edhe Letonia. Madje në minutat e fundit Mario Mitaj e largoi topin nga vija e portës. 

Shqipëria ka dominuar në fushë, por pa ndonjë shkëlqim të veçantë. Lojtarët e Shqipërisë e kishin topin në 61 për qind të kohës. I kanë krijuar 14 raste, për dallim nga nëntë sa i kishte Letonia.

Goditje që shkuan në portë, kuqezinjtë i kishin tri e mysafirët vetëm një.

Por tri pikët janë gjëja e rëndësishme nga kjo ndeshje. Të përzgjedhurve të Sylvinhos u duhej fitorja për të vazhduar ëndrrën për kualifikim, përkatësisht për pozitën e dytë që dërgon në plejof.

Ndeshja vendimtare për këtë synim vlerësohet ajo kundër Serbisë, që zhvillohet në Beograd më 11 tetor. 

Shqipëria e nisi fushatën kualifikuese me humbje 2:0 nga Anglia. Më pas fitoi 3:0 ndaj Andorrës, ndërsa në ndeshjen emocionale me Serbinë mori vetëm një pikë, duke luajtur 0:0. Pikë të rëndësishme u lëshuan më 10 qershor, kur u barazua 1:1 me Letoninë në Riga.

Kjo bëri që për ndeshjen e dytë me Letoninë fitorja të ishte obligim. Pikët u fituan, ndërsa për shkëlqim në fushë shpresohet për ndeshjen e vështirë në Beograd, pas një muaji.

Shqipëria në epërsi 1:0 pas pjesës së parë

4 o. më parë / 9 sht 2025 21:34
SHqipëria

Shqipëria po udhëheq 1:0 pas pjesës së parë të ndeshjes ndaj Letonisë.

Kristian Asllani ka shënuar golin nga penalltia në minutën e 25-të.

Shqipëria në epërsi ndaj Letonisë

4 o. më parë / 9 sht 2025 21:12
Shqiperia - Asllani

Shqipëria ka kaluar në epërsi në ndeshjen kundër Letonisë. 

Golin e epërsisë 1:0 e shënoi mesfushori Kristjan Asllani. Ai realizoi në minutën e 25-të nga penalltia të cilën e siguroi Qazim Laçi në minutën e 23-të. 

Kjo ndeshje po luhet në stadiumin “Air Albania” në Tiranë dhe i takon kualifikimeve për Kupën e Botës 2026.

Formacionet zyrtare, Shqipëri – Letoni

6 o. më parë / 9 sht 2025 19:19
Broja

Shqipëria dhe Letonia kanë publikuar formacionet zyrtare për ndeshjen kualifikuese për Botërorin 2026.

Shqipëria do të luajë me formacion ofensiv, me Armando Brojën, Rey Manajn e Nedim Bajramin në sulm.

Në mesfushë do të paraqiten Laçi, Shehu e Asllani, ndërsa në mbrojtje, Hysaj, Ajeti, Gjimshiti dhe Mitaj. Porta do të mbrohet nga Thomas Strakosha.