Malisheva është mposhtur të enjten mbrëma në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë për të zbehur gjasat për avancim në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës.

Në një ndeshje të hapur e me shumë raste, Malisheva humbi 1:0 nga Vikingur Reykjavik, skuadra nga Islanda. Sfida u vendos në minutat shtesë të pjesës së parë.

Në minutën e dytë shtesë, sulmuesi i krahut, Nikolaj Hansen, u shkëput në zonë dhe goditi saktë me kokë për epërsinë e islandezëve. Pikë e fortë e Vikingurit është loja në ajër dhe kjo doli të jetë vendimtare edhe të enjten mbrëma.

Malisheva për herë të dytë po paraqitet në Evropë. Vjet kishte fituar 1:0 në “Fadil Vokrri” ndaj Buduqnostit të Podgoricës, por ishte mposhtur 3:0 në Mal të Zi për t’u ndalur në raundin e parë kualifikues të Ligës së Konferencës.

Tani ka rezultat negativ nga ndeshja e parë dhe kjo e bën shumë të vështirë udhëtimin e gjatë për në Reykjavik. Ndeshja e kthimit është pas një jave.

Rastet kryesore: 

YouTube - ndeshja e plotë:

Etnik Brruti: Ende besojmë në kualifikim

1 d. më parë / 10 kor 2025 22:20
Etnik Brruti

Mesfushori i Malishevës, Etnik Brruti, ende beson se skuadra e tij mund të kualifikohet në rundin e dytë kualifikues për Ligën e Konferencës, edhe pse u mposht 1:0 në ndeshjen e parë në Prishtinë nga Vikinguri.

Ai ka thënë se asgjë nuk është e pamundur.

“Besoj që gjasat për kualifikim janë. Nëse e japim maksimumin si në pjesën e dytë, besoj se mund të bëjmë diçka. Nëse kemi besim, asgjë nuk është e pamundur. Loja atje do të jetë krejt ndryshe. Do të jemi me motiv ndryshe për ta kthyer rezultatin në favorin tonë”, ka thënë Brruti pas takimit.

Agon Xhaka: E respektuam kundërshtarin më shumë se që duhet

1 d. më parë / 10 kor 2025 22:18
Agon Xhaka

Ylli i Malishevës, Agon Xhaka, ka thënë se ekipi i tij e ka respektuar kundërshtarin më shumë se që duhet, pasi malishevasit u mposhtën 1:0 në ndeshjen e parë të fazës kualifikuese për Ligën e Konferencës nga Vikinguri.

Ai ka thënë se skuadrës së tij i ka munguar fati, ndërsa e kanë pasur të vështirë të përballen me përvojën e Vikingurit.

“Ndeshje e vështirë, por e respektuam më shumë se që duhet kundërshtarin. Në pjesën e dytë ndryshuam, por nuk patëm fatin. Shpresojmë të rikthehemi në ndeshjen e dytë. Ishte vështirë të përballemi me lojtarët me përvojë të Vikingurit. Nuk është se na kanë rrezikuar shumë në përgjithësi”, ka thënë ai për KTV-në.

Bekim Isufi: Nuk ka përfunduar asgjë

1 d. më parë / 10 kor 2025 22:15
Bekim Isufi

Trajneri i Malishevës, Bekim Isufi, ka thënë se mundësitë janë reale për përmbysje, pasi skuadra e tij u mposht 1:0 në shtëpi nga Vikinguri në ndeshjen e parë të fazës së parë eliminuese në Ligën e Konferencës.

Pas ndeshjes, Isufi ka thënë se ekipi i tij ka pasur respekt të tepruar ndaj kundërshtarit.

“Mendoj se përderisa ekziston mundësia, pjesa e dytë e sfidës, mundësitë janë reale. Nuk bën të kemi respekt të tepruar për kundërshtarin, si në pjesën e parë. Duhet të fokusohemi në ndërprerje, në lojën në ajër. Nëse luajmë si në pjesën e dytë, me më shumë vetëbesim, çdo gjë është e mundur. Kemi një javë të përgatitemi. Tani i dimë mundësitë dhe se si të paraqitemi më mirë. Në pjesën e parë kishim shumë respekt për kundërshtarin. Në pjesën e dytë kishim raste, por na mungoi fati për të konkretizuar”, ka thënë Isufi për KTV-në pas takimit në “Fadil Vokrri”.

“Në pjesën e parë u morëm vesh të kemi kontrollin e lojës dhe të rrezikojmë më shumë. Respekti i tepruar bëri që mos të kemi mundësi të hyjmë në lojë. Në pjesën e dytë e kemi ditur se nuk kemi çka të humbim. Pjesa e dytë ishte dominante, kishim aksione. Jemi munduar të eliminojmë gabimet. Vikinguri na ka dominuar në lojën në ajër, ndërsa në aspektet tjera kemi dominuar”, ka vazhduar Isufi.

Ndeshje interesante në “Fadil Vokrri”, Vikinguri mbetet në epërsi

1 d. më parë / 10 kor 2025 21:40
Malisheva

Raste të shumta po krijojnë Malisheva e Vikinguri islandez në ndeshjen në “Fadil Vokrri”.

Por pas minutës së 65-të rezultati mbetet 1:0 në të mirë të Vikingurit.

Ndeshja është hapur thuajse plotësisht dhe të dy skuadrat po e kërkojnë golin.

Vikinguri në epërsi në “Fadil Vokrri”

1 d. më parë / 10 kor 2025 21:02
Vikingur

Vikinguri i Islandës ka kaluar në epërsi 1:0 në ndeshjen ndaj Malishevës në “Fadil Vokrri”.

Nikolaj Hansen shënoi me goditje me kokë në minutën e dytë shtesë të pjesës së parë. Me rezultatin 1:0 përfundoi pjesa e parë e takimit që po transmetohet në KTV.

Malisheva në vështirësi në fillim të ndeshjes

1 d. më parë / 10 kor 2025 20:29
Malisheva

Malisheva e Vikinguri po luajnë në “Fadil Vokrri” në kuadër të raundit të parë kualifikues të Ligës së Konferencës. Pas minutës së 15-të rezultati mbetet 0:0.

Por Vikinguri ka rrezikuar në tri raste tashmë. Madje Dren Kryeziu ndali topin në vijën e portës në minutën e 11-të.

Foda i pranishëm edhe në ndeshjen e Malishevës

1 d. më parë / 10 kor 2025 20:08
Franco Foda

Përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, është parë në stadiumin “Fadil Vokrri” pak para se të nisë ndeshja kualifikuese për Ligën e Konferencës mes Malishevës dhe Vikingurit.

Foda ishte i pranishëm edhe në ndeshjen e Dritës në kualifikimet e Ligës së Kampionëve para dy ditësh. 

LIVE / Malisheva - Vikingur:

Publikohet formacioni i Malishevës

1 d. më parë / 10 kor 2025 19:10
malisheva

Trajneri i Malishevës, Bekim Isufi, ka vendosur për formacionin 4-3-3 për ndeshjen ndaj Vikingurit islandez.

Ndeshja e raundit të parë kualifikues të Ligës së Konferencës mes Malishevës dhe Vikingurit zhvillohet nga ora 20:15 në “Fadil Vokrri” dhe transmetohet në KTV.

Xhemal Ibishi, Laurent Xhylani dhe Fatjon Bunjaku udhëheqin sulmin e Malishevës.

Formacioni