Festa shpërtheu në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, menjëherë pasi përfundoi ndeshja finale e Kupës së Kosovës në futboll.
Festa u takoi futbollistëve të Prishtinës, të cilët fituan për herë të nëntë në histori Kupën e Kosovës. Më shumë se secila skuadër tjetër e futbollit në Kosovë.
Prishtina në finale të Kupës e mposhti skuadrën e Llapit me rezultatin 1:0. Me fitoren ndaj Llapit, Prishtina pas tre vjetësh siguroi pjesëmarrjen në kualifikimet e Ligës së Evropës për edicionin e ardhshëm.
Ndeshjen në të mirë të prishtinasve e vendosi goli i shënuar nga mesfushori Albin Krasniqi.
“Çdo trajner që fiton Kupën ose titullin me Prishtinën, emocionet janë të veçanta. Emocionet janë të mëdha kur fiton me Prishtinën. Është hera e dytë që e shijoj këtë sukses dhe thuajse situata e njëjtë. 11 ndeshje, 10 fitore. Kupa i ka munguar Prishtinës dhe i ka munguar Evropa në këto 2-3 vjetët e fundit. Falënderoj lojtarët për kontributin. Ata meritojnë çdo gjë, natyrisht edhe tifozët ‘Plisat’ që na kanë përkrahur në numër të madh. Tani shpresojmë në paraqitje të mirë në Evropë. Prishtina në sezonin tjetër do të jetë flakë”, ka thënë trajneri i Prishtinës, Arsim Thaqi.
Drejtimin e Prishtinës, Thaqi e mori më 6 prill.
“Çelësi i suksesit janë lojtarët, janë më meritorët. Prishtinën e mora në situatë jo të mirë. Ne e siguruam mbijetesën në fundjavën e kaluar. Por, futbolli i ka edhe këto. Finalen e luajtëm për ta fituar, jo për ta luajtur. I uroj të gjithë për trofeun. Presim që në vitet e ardhshme të jetë Prishtina që ka qenë dikur”, është shprehur Thaqi.
Prishtina kishte më shumë raste shënimi, por golin që ia siguroi fitoren e shënoi vetëm pas një ore lojë. Krasniqi gjuajti fuqishëm nga zona. Topi u devijua nga mbrojtësi Diar Vokrri dhe përfundoi prapa shpinës së portierit kroat Marijan Çoriq.
Dy minuta para se të shënohej goli që ia siguroi trofeun Prishtinës, nga loja te Llapi u përjashtua Arbnor Ramadani. Ramadani u ndëshkua me karton të verdhë dy herë brenda dy minutash.
Llapi, pavarësisht përpjekjeve, nuk arriti që të shënonte dhe mbetet me dy trofe të fituar në Kupën e Kosovës.
“Është diçka e pabesueshme të fitosh me këtë klub. Ndjenja është e papërshkrueshme. Trofeun e Kupës ua dedikojmë tifozëve. E kanë merituar. Kanë qenë të jashtëzakonshëm në përkrahje. Për ndeshjet e Evropës do të jem këtu te Prishtina. Ka edhe interesime nga klube të ndryshme, por do të shohim se çfarë do të ndodhë”, ka thënë mbrojtësi Dion Gallapeni.
Për Prishtinën ishte finalja e tretë rresht. Triumfoi në edicionin 2022-23 duke e mposhtur 2:0 skuadrën e Gjilanit në finalen e zhvilluar në Prishtinë.
Në edicionin e kaluar humbi nga Ballkani 4:2 pas ekzekutimit të penalltive. Koha e rregullt dhe vazhdimet e atij ballafaqimi ishin mbyllur 2:2.
Llapi do ta ketë edhe një ndeshje për ta zhvilluar në Superligën e Kosovës për këtë edicion.
Të dielën në shtëpi e pret skuadrën e Dukagjinit, që në fundjavën e kaluar e siguroi mbijetesën, bashkë me skuadrën e Prishtinës.
Llapi është i teti me 44 pikë, përkatësisht në zonën e barazhit. Dy pikë më pak i ka Suhareka.
Në rast të disfatës së Llapit dhe fitores së Suharekës, ekipi i drejtuar nga trajneri Tahir Batatina do të luante në kategorinë e dytë të futbollit kosovar në edicionin e ardhshëm. Suhareka luan në shtëpi me Ballkanin.
Në rast të barazimit të Llapit dhe fitores së Suharekës do të shikohej goldallimi i skuadrave, pasi katër ndeshjet e ndërsjella mes tyre janë baras. Dy fitore i ka Llapi e dy Suhareka. Goldallimin më të mirë aktualisht e ka Llapi, -1, ndërsa Suhareka e ka -13.
Çoriq shpëton portën
Portieri i Llapit e ka shpëtuar portën në minutën e 65-të.
Mbrojtësi Diar Vokrri në tentim për ta kthyer topin me kokë te portieri i tij, për pak sa nuk realizoi autogol.
Prishtina vazhdon të ketë epërsi prej një goli.
Krasniqi me supergol kalon Prishtinën në epërsi
Vetëm një minutë pasi u përjashtua nga loja Arbnor Ramadani i Llapit, Prishtina kaloi në epërsi.
Albin Krasniqi i Prishtinës shënoi supergol me gjuajtje të fuqishme.
Pati edhe devijim të topit nga Vokrri.
Llapi me një lojtar më pak
Llapi ka mbetur me një futbollist më pak ne fushë.
Arbnor Ramadani më minutën e 58-të u përjashtua nga loja me karton të kuq.
Ai brenda dy minutash pranoi dy kartonë të verdhë.
Mbyllet pa gola pjesa e parë
Pa gola është mbyllur pjesa e parë e finales mes Prishtinës e Llapit.
Lojë e hapur në kryeqytet, raste nga të dyja skuadrat
Lojë e hapur është duke u zhvilluar në kryeqytet në finalen e Kupës së Kosovës ndërmjet Prishtinës dhe Llapit. Në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, raste për të shënuar gol patën të dyja skuadrat.
Për Prishtinën rrezikuan Axel Gnapi e Leotrim Kryeziu, por ka qenë portieri kroat Marijan Çoriq, ai që e ka shpëtuar Llapin.
Për Llapin rrezikshëm ka dalë Arianit Hasani, por pa arritur të shënojë në portën e portierit Agron Kolaj.
Po luhet minuta e 22-të.
Formacionet zyrtare, Prishtina – Llapi
Prishtina dhe Llapi kanë publikuar formacionet zyrtare për finalen e Kupës së Kosovës.
Takimi nis në orën 20:00 në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Formacionet:
