Lojtarët e Dritës e vlerësojnë pozitive pikën e fituar
Sulmuesi Arb Manaj, ka thënë se ndeshja kundër Omonias ishte shumë e vështirë. Por ai thekson se Drita synon të vazhdoj me rezultate pozitive në ndeshjet e Evropës dhe Superligë. “Ka qenë e vështirë, pasi kundërshtar kishim një skuadër me shumë cilësi. Ne do të bëjmë maksimumin për të arritur rezultate pozitive”, ka thënë Manaj.
Ai shënoi golin e vetëm për Dritën kundër ekipit qipriot. Shënoi me kokë pas harkimit të Besnik Krasniqit.
“Jam i lumtur për kontributin, por më shumë i lumtur për skuadrën që fituam një pikë kundër një kundërshtari të fortë. Me pak fat mund të fitonim, por duhet të jemi të lumtur me një pikë dhe të vazhdojmë tutje. Drita ka treguar ndeshje të forta në Evropë gjithmonë. Duhet tani të përqendrohemi në ndeshjen e radhës në Superligë”, është shprehur Besnik Krasniqi.
Kapiteni Rron Broja thotë se me pak fat mund ta fitonin ndeshjen.
“Arritëm te epërsia, dhamë maksimumin, por kishim përballë kundërshtar të fortë sidomos në aspektin taktik. Me pak fat mund ta fitonim ndeshjen. Objektivi jonë është ta arrijmë fitoren e parë. Besoj se do të vij shumë shpejte. Uroj të arrijmë ndeshjen e ardhshme”, ka thënë Broja.
Ramadani flet për barazimin dhe ndeshjen kundër Shkëndijës
Trajneri i Dritës, Zekirija Ramadani, ka thënë se lojtarët e tij kanë bërë gjithçka në fushë për të arritur fitore kundër Omonias. Por ai beson se Drita do ta realizojë shumë shpejt fitoren e parë në Ligën e Konferencës.
“Ne bëmë gjithçka për të fituar ndeshjen. Kaluam në avantazh, por ishte një moment që pësuam gol. Unë mendoj se kemi bërë paraqitje të mirë, por pash ekipin e mërzitur sepse kishim avantazhin dhe kishim mundësi të ruajmë këtë epërsi deri në fund. Është një ecuri e mirë, uroj të jetë e treta e vërteta – fitorja. Ne bëjmë gjithçka për të arritur deri te fitorja. Jam i bindur se këta lojtarë do të arrijnë deri te fitorja. Ndoshta do të arrihet në Irlandë”, ka thënë Ramadani pas ndeshjes.
Trajneri shkupjan ka folur edhe për përballjen që Drita do ta ketë kundër Shkëndijës së Tetovës, në kuadër të ligës në Ligën e Konferencës. Ndeshja Drita – Shkëndija do të zhvillohet më 27 nëntor, një ditë para festës së 28 Nëntorit.
“Me qëllim nuk e përmenda këtë ndeshje, por ajo përballje do të jetë festë, pasi bëhet fjalë për ndeshjen që luhet një ditë para ditës së flamurit. Uroj të kalojnë mirë shikuesit, dhe ne skuadrat në fushë të tregojmë paraqitje të mirë”, ka thënë Ramadani.
Drita fiton pikën e dytë në Ligën e Konferencës
Kampionia e Kosovës në futboll, Drita e Gjilanit, e ka fituar pikën e dytë në Ligën e Konferencës. Drita barazoi 1:1 kundër Omonias së Qipros të enjten mbrëma.
Ndeshja Drita – Omonia u zhvillua në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. I takoi xhiros së dytë të fazës së ligës në Ligën e Konferencës, garës së tretë të UEFA-s për nga rëndësia.
Sulmuesi Arb Manaj kaloi Dritën në epërsi me golin e realizuar në minutën e 12-të. Manaj shënoi me kokë pas harkimit nga krahut djathtë të Besnik Krasniqit.
Gjithçka po shkonte mirë për kampionen e Kosovës deri në fundin e pjesës së parë.
Drita ishte afër të shkonte në pushim me epërsi të një goli, por në minutën e fundit të pjesës së parë, pranoi gol. Mbrojtësi grek, Giannis Masouras, shënoi me kokë po ashtu nga afërsia për barazimin, 1:1.
Gola tjerë nuk pati në pjesën e dytë, por rastet nuk munguan nga të dyja ekipet. Për Dritën ishte pika e dytë në paraqitjen e saj të parë në Ligën e Konferencës.
Edhe në ndeshjen e parë kishte barazuar 1:1 kundër KuPS-it. Ndeshja ishte luajtur në Finlandë.
Omonia kishte pësuar humbje 1:0 nga Mainzi në ndeshjen e parë.
Drita ndeshjen e tretë e luan kundër Shelbournet në Irlandë më 6 nëntor.
Drita krijon rastin e parë në pjesën e dytë
Drita ka krijuar rastin e parë në pjesën e dytë të ndeshjes kundër Omonias.
Besnik Krasniqi tentoi me parabolë të mposhtë portierin e ekipit kundërshtar në minutën e 50-të.
Por portieri Fabiano Freitas largoi topin mbi portë.
Mbyllet baras pjesa e parë e ndeshjes Drita – Omonia
Arb Manaj realizoi për skuadrën e Dritës në minutën e 12-të pas asistimit të Besnik Krasniqit.
Gjithçka po shkonte mirë për kampionen e Kosovës deri në fundin e pjesës së parë.
Drita ishte afër të shkonte në pushim me epërsi të një goli, por në minutën e fundit të pjesës së parë, pranoi gol.
Mbrojtësi grek, Giannis Masouras, shënoi me kokë nga afërsia për 1:1.
Drita pranon gol në fundin e pjesës së parë
Drita ka pranuar gol nga Omonia në fundin e pjesës së parë.
Mbrojtësi Giannis Masouras shënoi me kokë pas goditjes nga këndi. Ai e mposhti portierin Faton Maloku dhe i barazoi shifrat në 1:1.
Manaj kalon Dritën në epërsi
Drita ka kaluar në epërsi në ndeshjen ndaj Omonias.
Sulmuesi Arb Manaj realizoi me kokë pas harkimit të Besnik Krasniqit, në minutën e 12-të.
Goli i Manajt:
Publikohen formacionet startuese të ndeshjes Drita – Omonia
Trajneri i Dritës, Zekirija Ramadani, ka publikuar formacionin për ndeshjen kundër Omonias, në kuadër të xhiros së dytë të fazës së ligës në Ligën e Konferencës.
Ramadani ka vendosur të paraqitet me formacionin 4-3-1-2.
Ndeshja Drita – Omonia luhet sonte nga ora 18:45 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishitnë.
Në ndeshjen e parë, Drita barazoi 1:1 kundër KuPS-it në Finlandë, kurse Omonia humbi nga Mainzi 1:0.
