Pas më shumë se një viti pasigurie dhe kritikash, Kupa e Botës për Klube në futboll nisi në natën mes të shtunës e të dielës në Miami të SHBA-së. Dhe futbolli mund të mos jetë kurrë i njëjti. Të paktën kjo është ajo që presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ua ka thënë të gjithë atyre që donin ta dëgjonin.
“Ky turne do të jetë fillimi i diçkaje historike, që do ta ndryshojë sportin tonë për të mirë”, tha Infantino javë më parë, në kuadër të angazhimeve të shumta publike për të rritur interesimin për ngjarjen njëmujore që po organizohet në 11 qyteteve të ndryshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Turneu më i ri i futbollit është gjëja që sporti ka pritur, tha Infantino. Dhe këtë fundjavë, pavarësisht kundërshtimeve dhe pengesave të shumta, ai e shndërroi projektin personal në realitet.
Avokati zviceran, që mban një nga pozitat më të fuqishme në botë, ishte i pranishëm në stadiumin “Hard Rock” në Miami, ku Inter Miami i Lionel Messit luajti pa gola me ekipin egjiptian, Al Ahly, në ndeshjen hapëse të Kupës së Botës për Klube.
Ndikimi
Në ceremoninë hapëse kishte muzike, vallëzime e fishekzjarrë. Ndeshja ndërkohë mund të ketë qenë zhgënjyese, por ishte një moment krenarie për Infantinon dhe provë bindëse e ndikimit të tij të madh në sportin më të popullarizuar në botë.
Pavarësisht deklaratave të presidentit të FIFA-s, nuk është e qartë se sa shumë futbolli e donte një tjetër turne për lojtarët elitarë. Por kjo është vepër e dashur e tij. Aq e dashur sa emri i turneut është gdhendur dy herë në trofeun gjigant e të artë, që do të ngrihet nga fituesi më 13 korrik.
Kupa e Botës për Klube ka nisur pavarësisht sfidave ligjore në Evropë, kërcënimeve për grevë nga lojtarët dhe frikës nga lëndimet dhe lodhja e yjeve kryesore.
Ka pasur shqetësime në lidhje me qasjen e FIFA-s, e cila tradicionalisht është përqendruar në futbollin e përfaqësueseve. Shqetësime janë paraqitur edhe për ndikimin e dëmshëm që një garë e re e klubeve mund të ketë në ligat vendore.
Por asgjë nuk ndali planet e Infantinos për të zgjeruar Kupën e Botës për Klube. Në të kaluarën ngjarja ishte një mini-turne me shtatë ekipe që zhvillohej në mes të edicionit. Tani janë plot 32 ekipe, ndërsa disa vlerësojnë se ngjarja një ditë mund të rivalizojë Ligën e Kampionëve dhe Premier Leaguen si një nga garat më të njohura dhe më të pasura në botë.
Turneu tashmë ka nisur. Koha do të tregojë nëse i përmbush qëllimet e Infantinos, por ai ka kaluar pengesën më të madhe duke e nisur edicionin inaugurues.
Edhe termini tashmë është rezervuar – çdo katër vjet. Dhe ekipe, si fituesi i Ligës së Kampionëve, Paris Saint-Germaini, tashmë janë kualifikuar për edicionin e ardhshëm të vitit 2029.
“Ndoshta jo tani në edicionin e parë, por do të bëhet garë jashtëzakonisht e rëndësishme për t’u fituar”, ka thënë trajneri i Paris Saint-Germainit, Luis Enrique.
Ai mund të ketë të drejtë. Pavarësisht natyrës globale të futbollit, gara e klubeve është kufizuar kryesisht në kontinente. Përjashtim bënte Kupa e Botës për Klube, që shpesh shihej si pak më shumë se ngjarje reviale.
A e duan tifozët?
Mbetet e paqartë se sa ka dëshirë për një tjetër turne të futbollit kur kalendari tashmë është i stërmbushur me ndeshje e ngjarje.
Rreth 60 mijë tifozë ishin në ndeshjen hapëse dhe FIFA mund të ndihet e lehtësuar. Por nuk dihet se sa prej të pranishmëve kanë paguar çmimin prej 349 dollarë, që ishte përmendur në dhjetor.
FIFA nuk ka ofruar shifra përfundimtare mbi sasinë e biletave të shitura në tërësi. Çmimet janë ulur shumë në ditët e fundit para fillimit të ngjarjes. Në ndeshjen e parë megjithatë kishte pak vende të lira në tribuna, ndërsa janë parë edhe shumë tifozë të Al Ahlyt me fanella të kuqe.
“E kemi pritur me padurim, për kohë të gjatë”, tha Peter Sadek, tifoz me origjinë nga Egjipti, që tani jeton në Orlando. “Jemi të paktën 50 vetëm nga zona jonë. E kemi pritur gjatë këtë ndeshje”.
Tifozë të tjerë të Al Ahlyt kishin udhëtuar direkt nga Egjipti. Dhe në shumë pjesë të stadiumit ngjyra e kuqe e Al Ahlyt tejkalonte ngjyrën që dominon fanellën e Inter Miamit.
Magjia e Messit
Në FIFA do të ishin shumë të lumtur sikur Lionel Messi të kurorëzonte natën e madhe të Infantinos me një moment magjik. Ai gjithsesi bëri përpjekje.
Në kohën shtesë bëri gjuajtje të bukur, por topi nuk përfundoi në rrjetë. Portieri i Al Ahlyt, Mohamed El Shenawy e dërgoi topin në traversë, duke ia mohuar legjendës argjentinase, por edhe Infantinos, atë moment të shkëlqyer.
Duket që as Infantino nuk mund t’i ketë të gjitha.