Futboll

Kumbulla flet për synimet me Mallorcan dhe marrëdhëniet me Muriqin

kumbulla

Marash Kumbulla tashmë po mendon vetëm për Mallorcan. Lojtari i lindur në Peschiera del Garda të Italisë, është përforcimi më i ri i Mallorcas. Mbrojtësi 25-vjeçar do të paraqitet deri në fund të edicionit 2025/2026 për Mallorcan. Ai është huazuar te Mallorca nga skuadra e Romës.

Kumbulla bëhet lojtari i parë i Shqipërisë që luan për Mallorcan. Ai arriti në ishull të dielën pasdite, ndërsa u prezantua të hënën.  

Sezonin e kaluar, lojtari i ri i Mallorcas, ishte huazuar tek Espanyoli, skuadër për të cilën i luajti 36 ndeshje në La Liga dhe Kupën e Mbretit. Më herët ai luajti për klubet italiane, Hellas Verona dhe Sassuolo.

Kumbulla tha se ndihet shumë i lumtur që i është bashkuar Mallorcas.

“Jam shumë i lumtur që jam këtu. Fola me drejtorin dhe trajnerin. Ata kanë shumë besim tek unë. Më treguan shumë për projektin e Mallorcas dhe kur klubi më telefonoi, doja të isha këtu sa më shpejt të ishte e mundur”, ka thënë Kumbulla për faqen e klubit.

Ai synon të lërë gjurmë te Mallorca.

“Dua të luaj sa më shumë ndeshje të jetë e mundur dhe ta ndihmoj ekipin të arrijë sa më shumë që të jetë e mundur. Shpresoj që gjithçka të shkojë sipas planit”, tha ai për klubin spanjoll. “Trajneri dhe unë folëm për atë që ai dëshiron si trajner, klubin, tifozët dhe gjithçka që përfaqëson Mallorca. Më pëlqeu shumë”, deklaroi ai.

Mbrojtësi i Shqipërisë foli edhe për marrëdhëniet me sulmuesin e Kosovës, Vedat Muriqi. Sulmuesi shtatlartë është lider i Mallorcas dhe “Dardanëve”.

“Kam folur me Vedatin kur u takova këtu në Espanyol. Kam një marrëdhënie të mirë me të dhe dua ta shoh së shpejti”, tha lojtari i Mallorcas.

Ai në fund pati edhe një mesazh për shikuesit.

“Faleminderit për mikpritjen. Do të jap gjithçka për këtë stemë dhe dua të luaj këtu me fanellën e Mallorcas”, ka thënë Kumbulla.

Kumbulla me Romën ka kontratë deri në verën e vitit 2027. Ai për Shqipërinë i ka luajtur 24 ndeshje.