Marash Kumbulla ka qenë i ftuar nga selektori i Shqipërisë, Sylvinho, për Kampionatin Evropian të vitit të kaluar që u mbajt në Gjermani. Kumbulla, që ka 23 paraqitje me “kuqezinjtë”, nuk e pati rastin të luante në fazën grupore. Por, te Shqipëria vlerësohet i rëndësishëm për qendrën e mbrojtjes, pavarësisht se nuk pati rast të luante në ndeshjet e Grupit B. Shqipëria pati dy humbje e një barazim. U mposht 2:1 nga Italia dhe 1:0 nga Spanja, ndërsa barazoi 2:2 me Kroacinë.
Shqipëria ka luajtur edhe në “Euro 2016” në Francë, por asnjëherë nuk është paraqitur në Kupën e Botës.
Një kualifikim në Botëror, Kumbulla e ëndërron me fanellën “kuqezi” në këtë cikël eliminator.
Shqipëria ka tri pikë nga dy ndeshjet e para kualifikuese të Grupit K.. U mposht nga Anglia 2:0 në “Wembley” dhe fitoi 3:0 ndaj Andorrës në “Arena Kombëtare” në Tiranë.
Në grup me Shqipërinë janë edhe Letonia, Serbia dhe Andorra.
“Ne asnjëherë nuk jemi kualifikuar në Botëror dhe e di se është e vështirë pasi ka ekipe të forta në grup. Mendoj se ndeshja kundër Serbisë në qershor do të jetë vendimtare. Është kundërshtare direkte për vendin e dytë, pasi mendoj se vendi i parë do t’i takojë Anglisë. Të shpresojmë e të besojmë në kualifikim”, ka deklaruar Kumbulla në një intervistë dhënë mediumit italian “Tuttomercatoweb”.
Ndaj Serbisë, Shqipëria luan më 7 qershor në Tiranë, ndërsa më 10 qershor udhëton te Letonia.
Kumbulla me shumë sukses po paraqitet te skuadra e Espanyolit në La Liga të Spanjës. 25-vjeçari iu bashkua Espanyolit në formë huazimi nga Roma në gusht të vitit të kaluar. Ai ka luajtur në Itali për Veronën e Sassuolon, kurse në Spanjë është përshtatur shumë mirë.
Qendërmbrojtësi i Shqipërisë ka zhvilluar 31 ndeshje dhe ka realizuar tri gola në elitën spanjolle.
Espanyoli është i 13-ti me 39 pikë. Në La Liga kanë mbetur edhe pesë xhiro.
Kumbulla ka folur për edicionin aktual, por është ndalur në veçanti për dy lojtarët e Shqipërisë, qendërmbrojtësin Ardian Ismajli që luan tek Empoli dhe mesfushorin e Interit, Kristjan Asllanin.
“A e kam pritur shpërthimin e Ismajlit? Po. Qëkur kemi luajtur me tre mbrojtës te Shqipëria, unë, ai dhe Gjimshiti, jam ndier mirë me të dy. Ismajli ka qenë gjithmonë shumë i fortë. Ndoshta nuk është shumë i gjatë, por ai ka fuqi dhe ka shkëputje të madhe. Ai është shumë i kujdesshëm në mbulimin e hapësirave, në pozicionim. Është e pamundur ta gjesh atë në pozitën e gabuar. Kam shumë respekt për të. Kur luaj me të te Shqipëria ndihem rehat dhe me vetëbesim. Po ashtu, ai i përkrah shumë bashkëlojtarët”, ka deklaruar Kumbulla për Ismajlin.
Fjalë pozitive ka thënë edhe për Asllanin, por e ka pranuar se kur nuk luan vazhdimisht është e vështirë ta gjesh formën më të mirë.
“Asllani teknikisht është shumë i fortë, por nuk e di, duhet ta kesh edhe dinamikën e brendshme të ekipit. Mund të jap një shembull. Kur unë nuk kam luajtur për kohë të gjatë dhe ka ardhur momenti për të luajtur, nuk jam ndier mirë. Është çështje personale, por vazhdimësia të jep vetëbesim. Kjo është e vërtetë për një djalosh të ri si ai, apo si unë para dy-tre vjetësh”, ka deklaruar Kumbulla.
Asllani po luan pak tek Interi.
Kumbulla është shprehur se dallimi mes Serie A dhe La Liga është shumë i madh. Në Itali, sipas Kumbullës, futbolli është më taktik se në Spanjë. Në elitën spanjolle ka më shumë kundërsulme dhe lojë ofensive. Dhe në aspektin mental, thotë Kumbulla, në Spanjë lojtarët janë më të qetë.
Kumbulla është përballur me lojtarë të klasit botëror si Kylian Mbappe, Vinicius Junior, Lamine Yamal e Nico Williams.
Ai ka treguar se cili prej tyre është më vështirë për t’u ndalur.
“Me Mbappen jam përballur disa herë dhe është shumë i fortë. Nico Williams po ashtu më ka krijuar vështirësi edhe pse është lojtar krahu. Por, Mbappe shkon si Ferrari, jo si skuter. Në situatat një kundër një, ai të kalon. Dhe në hapësirë është shumë e vështirë të luhet ndaj tij. Puna bëhet më e lehtë nëse të ndihmojnë bashkëlojtarët. Në fund të fundit, çdo gjë ka të bëj me punën ekipore”, është shprehur Kumbulla.
Espanyoli të dielën luan ndaj Real Betisit në kuadër të xhiros së 34-t të La Ligas. Ai ballafaqim nis në orën 18:30.