Futboll

Kristal Abazaj po shkëlqen gjithnjë e më shumë te Drita

Kristal Abazaj

Kristal Abazaj ka luajtur për shumë skuadra në Shqipëri, Belgjikë, Kroaci e Turqi. Ndër të tjera ka luajtur edhe për klubin mbretëror të Belgjikës, Anderlecht.

Por trofeun e parë në karrierën si senior, Abazaj e fitoi me një klub në Kosovë. 

Falë golit të tij, Drita e Gjilanit e fitoi të dielën Superkupën e Kosovës në futboll. Gjilanasit fituan ndaj Prishtinës me rezultat 2:1. Abazaj e shënoi golin e dytë për Dritën në minutën e 50-të. Ndeshja u zhvillua në Antalia të Turqisë.

29-vjeçari është i lumtur për trofeun.

“Normalisht, më bëhet shumë qejfi për çdo gol, ndihem i lumtur, por mbi të gjitha më kënaq suksesi i ekipit dhe fitimi i trofeut”, ka thënë Abazaj për KOHËN të hënën.

Ai në gusht të vitit të kaluar iu bashkua kampiones së Kosovës, Dritës. Me Dritën ka nënshkruar kontratë dyvjeçare dhe po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm.

Abazaj, që ka dy paraqitje me Shqipërinë, së fundmi ishte te skuadra turke Keçiorenguçu. Ka luajtur te të rinjtë e Dinamos dhe Partizanit të Tiranës, kurse karrierë ka bërë edhe tek Elbasani, Luftëtari, Skënderbeu, Anderlechti, Osijeku, Kukësi, Istanbulspori e Tirana.

Tani është te Drita.

“Jam përshtatur shumë mirë falë djemve që kam gjetur në ekip, trajnerit, stafit dhe të gjithë njerëzve te Drita që më kanë bërë më të lehtë përshtatjen në futbollin kosovar”.

Lojtari ofenziv pret të fitojë të tjerë trofe me skuadrën gjilanase.

“Synimet janë të qarta - shkojmë për të fituar të gjitha trofetë, pasi ekipi ka të gjitha mundësitë për të arritur objektivat, dhe do të provojmë edhe shanset në Ligën e Konferencës”, thotë Abazaj.

Ai është pjesërisht i kënaqur me karrierën e deritashme. Vlerëson se ka mundur të arrijë edhe më shumë. Por lëndimet e kanë penguar të bëjë karrierën që e ka synuar.

“Jam i kënaqur deri diku, sepse kam arritur me mund dhe sakrificë të luaj në një nivel të lartë, por gjithsesi mund të ishte edhe më mirë. Megjithatë, siç dihet, kam pasur shumë lëndime gjatë karrierës time në Evropë dhe ndonjëherë fati nuk ka qenë në anën time”, thotë lojtari nga Elbasani.

Abazaj ka tejkaluar problemet me lëndimet. Thekson se fokusin e ka tek e ardhmja.

“Është e vërtetë që kam pasur një pauzë të gjatë për shkak të një lëndimi, por e kam kaluar, ndihem më mirë dhe gati për të vazhduar. Shpresoj të jap maksimumin me ekipin e Dritës dhe, pse jo, të shikojmë edhe një herë për aventurë në Evropë, pasi Drita e jep këtë shans”. 

Drita është në përgatitje në Antalia të Turqisë për stinorin pranveror. Stinorin vjeshtor  e mbylli në vendin e katërt me 29 pikë. Drita do të luajë ndaj Celjes sllovene në plejofin e fazës nokaut të Ligës së Konferencës. 

Dhe forma e Abazajt dhe të tjerëve është premtuese për tifozët e skuadrës gjilanase.