Kosova është ngritur edhe për një pozitë në ranglistën e FIFA-s. Nga pozita e 80-të, në të cilën ishte në dhjetor, Kosova është ngritur në pozitën e 79-të.
Ranglista e re e FIFA-s u publikua të hënën pasdite, një ditë pas përfundimit të Kupës së Afrikës.
Pozita e 79-të është më e mira e përfaqësueses së Kosovës në futboll deri më tani.
Ndërkohë, Shqipëria mbetet në pozitën e 63-të.
Ngritjen e Kosovës e ka mundësuar rënia e Gabonit për plot tetë pozita. Gaboni u paraqit në Kupën e Afrikës dhe i humbi të gjitha tri ndeshjet. Kjo ka bërë që të bie në vendin e 86-të, kurse disa përfaqësuese të avancojnë për një apo dy pozita.
Pozitat e para nuk kanë ndryshuar.
Spanja është e para, e përcjellë nga Argjentina e Franca. Pason Anglia në vendin e katërt dhe Brazili në vendin e pestë. Maroku ka avancuar për tri pozita dhe tani është në vendin e tetë.
Kosova në mars luan plejofin për Kupën e Botës 2026. Më 26 mars luan kundër Sllovakisë në Bratislavë në gjysmëfinale.
Fituesi i duelit Sllovaki – Kosovë përballet në finale të plejofit me Turqinë apo Rumaninë.
Një pozitë ka avancuar edhe Sllovakia, që tani është e 44-ta.