Futboll

Kosova të enjten i mëson kundërshtarët e parë në Ligën B

Kosova

Një herë në Ligën D dhe tri herë rresht në Ligën C. Dhe për herë të parë Kosova do të garojë në Ligën B të Ligës së Kombeve në futboll. Është ky niveli i dytë i garës kontinentale për ekipe përfaqësuese, përmes të cilës u zëvendësuan miqësoret dhe u rritën të ardhurat financiare për federatat nacionale.

Edicioni 2026/2027 i Ligës së Kombeve është i pesti i kësaj gare. Dhe dëshmon rritjen e Kosovës në futboll në vitet e fundit.

Liga e Kombeve është e ndarë në katër nivele, përkatësisht liga. Në Ligën A janë ekipet më të forta përfaqësuese. Në Ligën D janë ekipet më të dobëta.

Shorti për edicionin e pestë tërhiqet të enjten (nesër) nga ora 18:00 në Bruksel.

Për short, Kosova është në vazon e katërt së bashku me Suedinë, Maqedoninë e Veriut dhe Irlandën e Veriut. Me këto përfaqësuese nuk mund të përballet.

Në vazon e parë të Ligës B janë Skocia, Hungaria, Polonia dhe Izraeli. Në vazon e dytë janë Zvicra, Bosnjë-Hercegovina, Austria dhe Ukraina. Vazoja e tretë përbëhet nga Sllovenia, Gjeorgjia, Irlanda dhe Rumania.

Kosova në grup do të ketë nga një përfaqësuese të tri vazove të para.

UEFA nuk lejon ndeshjet e Kosovës me Bosnjë-Hercegovinën, por problematike në aspektin politik dhe të sigurisë mund të jenë ndeshjet eventuale me Rumaninë. Ndoshta edhe me Ukrainën e Gjeorgjinë. Ka shumë që nuk i dëshirojnë as ndeshjet me Zvicrën, sidomos pasi së fundi në Prishtinë u fishkëllye Granit Xhaka, kapiteni i Zvicrës.

Ndeshjet e xhiros së parë të Ligës së Kombeve janë prej 24 deri më 26 shtator të këtij viti.  Xhiroja e dytë është prej 27 deri më 29 shtator, ndërsa e treta prej 30 shtatorit deri më 3 tetor. Menjëherë prej 4 deri më 6 tetor është xhiroja e katërt, ndërsa dy xhirot e fundit të fazës grupore janë prej 12 deri më 14 nëntor dhe prej 15 deri më 17 nëntor.

Kosova kaloi në Ligën B duke e mposhtur para një viti Islandën në dy ndeshje të plejofit.

Në edicionin e kaluar të Ligës së Kombeve, 2024/2025, në grup në Ligën C ishte me Rumaninë, Qipron dhe Lituaninë. Kosova përfundoi e dyta, pas Rumanisë. Pozita e dytë ia siguroi plejofin. Ndeshjen e 15 nëntorit të vitit 2024, ndaj Rumanisë, “Dardanët” e humbën me rezultat zyrtar. Futbollistët lëshuan fushën në fund të ndeshjes, kur nisën thirrje “Serbi, Serbi”. Por vendimi në tavolinë nuk arsyetoi vendimin e lojtarëve në fushë.

Te Kosova aktualisht i gjithë fokusi është te ndeshja e 26 marsit ndaj Sllovakisë në Bratislavë. Është kjo ndeshja gjysmëfinale e plejofit për kualifikim në Botërorin e këtij viti.

Sllovakia është vetëm në Ligën C. Madje në vazon e dytë. Në Ligën C ka rënë edhe Shqipëria, që është në vazon e parë.

Liga e Kombeve, ndër të tjera vlerësohet e rëndësishme edhe për përgatitje të ekipit për ciklin e ardhshëm kualifikues, që është për Evropian.

Edicioni 2026/2027 i Ligës së Kombeve

Liga A

Vazo 1: Portugalia, Spanja, Franca, Gjermania

Vazo 2: Italia, Holanda, Danimarka, Kroacia

Vazo 3: Serbia, Belgjika, Anglia, Norvegjia

Vazo 4: Uellsi, Çekia, Greqia, Turqia

Liga B

Vazo 1: Skocia, Hungaria, Polonia, Izraeli

Vazo 2: Zvicra, Bosnjë-Hercegovina, Austria, Ukraina

Vazo 3: Sllovenia, Gjeorgjia, Irlanda, Rumania

Vazo 4: Suedia, Maqedonia e Veriut, Irlanda e Veriut, Kosova

Liga C

Vazo 1: Islanda, Shqipëria, Mali i Zi, Kazakistani

Vazo 2: Finlanda, Sllovakia, Bullgaria, Armenia

Vazo 3: Bjellorusia, Ishujt Faroe, Qipro, Estonia

Vazo 4: Letonia apo Gjibraltari, Luksemburgu apo malta, Moldavia, San Marino

Liga D

Vazo 1: Azerbajxhani, Lituania, Gjibraltari apo Letonia, Malta apo Luksemburgu

Vazo 2: Lihtenshtajni, Andorra