Meriton Korenica dhe Lindon Emërllahu kanë role të ndryshme në fushën e futbollit. Meritoni luan si sulmues krahu, kurse Lindoni në mesfushë. Por kanë disa të përbashkëta. E përbashkëta e tyre e parë janë trofetë. E dyta, paraqitja me Kosovën, vendi ku i morën hapat e parë në futboll dhe e treta ndikimi që kanë pasur në sukseset e Ballkanit dhe tash te Cluji.
Dy lojtarët nga Kosova, të mërkurën mbrëma, ishin protagonistë në suksesin e Clujit. Korenica 28-vjeçar bëri superasistim në golin e parë të Clujit, që fitoi 3:2 në finale të Kupës së Rumanisë, ndërsa paraqitja e Emërllahut 22-vjeçar u vlerësua lart.
Kupa e fituar nga Korenica dhe Emërllahu ishte trofeu i gjashtë. Dyshja me Ballkanin kishin fituar një Kupë, një Superkupë dhe tre tituj të kampionit.
“Është një arritje e madhe për neve, pasi deri në fund kemi luftuar për titull dhe për Kupë. Në fund morëm vetëm Kupën dhe jemi shumë të kënaqur për këtë arritje”, ka thënë Korenica për KOHËN të enjten.
Clujit rumun, Korenica iu bashkua në verën e vitit të kaluar nga Manisa, kurse Emërllahu kompletoi në shkurt të këtij viti transferimin te Cluji. Ishte transferimi më i shtrenjtë i afatit kalimtar në Rumani.
Mesfushori i Kosovës u transferua nga Ballkani, për dëmshpërblim prej 700 mijë eurosh.
“Jam i kënaqur me trofeun e fituar. Kemi bërë shumë ndeshje të bukur kundër një kundërshtari mjaft të mirë. Por luftuam deri në fund dhe morëm atë që deshëm dhe të gjithë jemi të lumtur”, ka theksuar Emërllahu.
Emërllahu insiston se suksesi për Kupë është arritje e madhe. Njëjtë mendon edhe Korenica.
“Ka qenë një kampionat shumë i vështirë në aspektin personal. Pas shumë vështirësive që kam pasur në familje, kam gjetur forcën dhe me ndihmën e Zotit kam vazhduar përpara. Ndoshta kam mundur të arrij edhe më shumë, por jam i lumtur që ndihmova ekipin të fitojë një trofe. Jam shumë i lumtur për këtë sukses”, ka shtuar Korenica.
Ai nuk e di të ardhmen pas përfundimit të këtij edicioni. Thotë se do të vendosin bashkë me klubin. Ai thekson se vendimet do t’i marrin bashkërisht dhe për të mirën e të dyja palëve.
Korenica ka treguar formë të lartë këtë edicion në Rumani. Ka shënuar 12 gola dhe ka asistuat shtatë herë në 48 ndeshje. Korenica për herë të fundit te Kosova ishte ftuar në nëntor të vitit 2023. Luajti në tri ndeshjet e fundit kualifikuese për Evropianin e vitit të kaluar. Më nuk u ftua nga selektori Franco Foda. Ai shpreson të ftohet sërish pas sukseseve me Clujin në Rumani.
“Kam pritur dhe vazhdoj të pres ftesën nga Kosova. Gjëja kryesore për mua është të vazhdoj me formë të mirë, ndërsa sa i përket ftesës, vendos trajneri”, thotë Korenica.
Ai në total ka pesë ndeshje për “Dardanët”. Emërllahu ka tri ndeshje më shumë të zhvilluara se Korenica me fanellën e Kosovës.
Ai së fundi asistoi në fitoren 3:1 ndaj Islandës në mars të këtij viti. Kosova me fitoren 3:1 arriti sukses historik. Edicionin e ardhshëm do të paraqitet në Ligën B të Ligës së Kombeve.
Emërllahu pritet të ftohet sërish te Kosova në grumbullimet e ardhshme. Ai është përshtatur goxha mirë në Rumani. Falënderon edhe Korenicën që i ka qëndruar afër në çdo moment.
“Ka pak muaj që jam te Cluji, por jam ndier si në shtëpi me pritjen që më është bërë si nga stafi ashtu edhe bashkëlojtarët. E falënderoj në veçanti Korenicën, i cili më ka qëndruar afër nga fillimi për gjithçka. Jam i lumtur që së bashku kemi fituar Kupën. Për një lojtar, trofeu është shumë i rëndësishëm”, ka thënë Emërllahu.
Pas triumfit për Kupë, Emërllahu dhe Korenica synojnë titullin.
“Çdo lojtar e do kohën e vet për t’u ambientuar në një klub të ri. Unë jam ambientuar shpejt për shkak të pritjes. Sezonin e ardhshëm synojmë titullin dhe të arrijmë nivelet e larta të garave evropiane. Besoj se kemi kualitet dhe do t’ia dalim”, thotë Emërllahu.
Emërllahu me Clujin ka kontratë deri vitin 2028. Por lojtari më i mirë në Kosovë për vitin 2024 synon transferimin te ndonjë prej klubeve të “top-5” ligave më të mira të Evropës.