Te kampionia e Kosovës në futboll, Drita, e dinë se të shtunën nga ora 13:00 i pret ndeshje shumë e vështirë, në një terren ku zor fitohen pikët.
Drita do të jetë mysafire e Dukagjinit në stadiumin “13 Qershori” në Klinë, në ndeshjen e xhiros së 16-të të elitës së futbollit kosovar.
Se do të jetë përballje sfiduese për Dritën e Gjilanit, e tregon edhe renditja. Ballkani, Prishtina dhe Dukagjini zënë tri vendet e para me nga 26 pikë, ndërsa Drita është pas tyre, në vendin e katërt me 23 pikë. E ka një ndeshje më pak të luajtur, atë kundër Prishtinës.
Trajneri Zekirija Ramadani e ka vlerësuar shumë Dukagjinin për lojën e mirë në fazën defensive dhe për golat që i shënon.
“Luan me numër të madh të lojtarëve në defansivë, por arrin të shënojë thuajse në çdo ndeshje. E kemi bërë analizën e kundërshtarit. Duhet t’i përshtatemi sa më shpejt fushës, pasi mund të jetë e rënduar. Ndoshta duhet ndryshim e të mos ngulim këmbë në atë lojën që ne duam ta bëjmë dhe nuk na lejon fusha. Duhet t’i përshtatemi sa më shpejt fushës dhe ta kemi si parapërgatitje për atë çfarë na pret”, ka deklaruar trajneri shkupjan të premten në konferencën për shtyp.
Në konferencë ishte edhe Vesel Limaj. Mesfushori i skuadrës gjilanase theksoi se humbja nga Ballkani e ka goditur skuadrën, porse ajo ka mbetur prapa.
“Jemi gati. E dimë që na pret një ndeshje e vështirë. Dukagjini ka bërë punë të mirë deri tash, por ne do të shkojmë për ta arritur qëllimin tonë, për tri pikë”, është shprehur 29-vjeçari Limaj.
Drita në fundjavën e kaluar pësoi disfatë në shtëpi, 3:2, nga Ballkani. Në mesjavë kaloi në 1/8 e finales me fitoren 3:0 ndaj Besës së Pejës. Në këtë fazë të garës ka avancuar edhe Dukagjini, që e eliminoi Ramiz Sadikun, 3:1.
Para ndeshjes me Ramiz Sadikun, Dukagjini rreshtoi tri fitore në Superligë, ndaj Ferizajt, Drenicës e Llapit.
Dukagjini e nisi sezonin me trajnerin Ismet Munishi, ndërsa bashkëpunimi me të u mbyll në fillim të muajit nëntor. Vendin e tij e zuri trajneri Ndue Përgjokaj. Me Përgjokajn, Dukagjini njeh vetëm fitore. Por, ai është shprehur i matur para ndeshjes së vështirë.
“Me të vërtetë jemi në formë të mirë dhe synimi është që të kemi formë të vazhdueshme. Normalisht që është një ndeshje e vështirë kundër Dritës. Por, djemtë janë super të motivuar dhe besoj që do të luftojmë për tri pikë”, ka deklaruar Përgjokaj të premten për KOHËN.
Edhe kapiteni i klinasve, Elton Basriu, e pranon forcën e Dritës, por ka theksuar se Dukagjini ka marrë pikë të vlefshme edhe ndaj ekipeve të forta në Superligë.
“Dukagjini ka treguar që është i gatshëm të marrë rezultate pozitive edhe ndaj ekipeve të forta e pretendente për titull. Drita ka treguar se është ekip i fortë, në bazë edhe të paraqitjeve në Evropë. Është skuadër e cila edhe kur nuk ka paraqitje të mirë, lojë të bukur për sy, ka individë cilësorë që mund ta vendosin ndeshjen dhe arrin të marrë rezultatin që e kërkon”, deklaroi Basriu për KOHËN.
Të shtunën luhen edhe dy ndeshje të tjera.
Ballkani e pret Prishtinën e Re, kurse Malisheva luan ndaj Drenicës, që mbylli bashkëpunimin me trajnerin Bylbyl Sokoli.
Të dielën janë ndeshjet Prishtina – Ferizaj dhe Gjilani – Llapi. Edhe këto ballafaqime nisin në orën 13:00.
Superliga – XVI
E shtunë (13:00)
Ballkani – Prishtina e Re
Malisheva – Drenica
Dukagjini – Drita
E diel (13:00)
Prishtina – Ferizaj
Gjilani – Llapi