Mesfushori i Kosovës, Muharrem Jashari, do të mbetet edhe më gjatë pjesë e skuadrës ukrainase LNZ Cherkasy. Klubi elitar i Ukrainës, të martën, ka njoftuar se ka vazhduar kontratën me Jasharin.
Ai kishte kontratë me Cherkasyn deri në dhjetor të vitit të ardhshëm. Por kohëzgjatja dhe detajet e kontratës së re, nuk janë bërë të ditura nga klubi ukrainas.
Jashari iu bashkua Cherkasyt në janar të vitit 2024 nga Drita e Gjilanit për 50 mijë euro. Sezonin e kaluar, mesfushori Jashari luajti 30 ndeshje, duke shënuar pesë gola dhe gjashtë asistime.
Më herët ishte raportuar se për Jasharin interesim kishte shprehur Karpaty, Polesia dhe disa klube të tjera. Por ai do të mbetet edhe më gjatë pjesë e klubit ukrainas.