Shkëndija e Tetovës e ka zyrtarizuar transferimin e Drilon Islamit.
Islami në muajin korrik të vitit të kaluar u transferua te Cluji rumun si lojtar i lirë pasi i përfundoi kontrata me Prishtinën.
Por aventura e Islamit te Cluji nuk përfundoi në mënyrën më të mirë të mundshme. Ai u largua pa debutuar në kampionatin rumun. Ani pse u transferua te Cluji pas paraqitjeve pozitive që kishte me Prishtinën, nuk gjeti hapësirë te skuadra rumune.
Javë më parë u raportua për një transferim të mundshëm të Islamit te Ballkani i Suharekës. Por mesfushori ka vendosur që karrierën ta vazhdojë te skuadra e Shkëndijës së Tetovës.
Islami ishte prej lojtarëve më të vlerësuar në futbollin kosovar.
Te Prishtina qëndroi për dy vjet. E ka fituar dy herë Kupën e Kosovës. Në Kosovë është paraqitur edhe për Dritën dhe Ferizajn.