Alexander Isak është stërvitur me ekipin e Suedisë për herë të parë pas transferimit te Liverpooli.
Isak është bërë transferimi më i shtrenjtë në histori të Premier Leagues. Transferimi i tij nga Newcastle Unitedi ka kushtuar 144 milionë euro.
Pavarësisht se nuk luajti fare për Newcastlen gjatë përgatitjeve dhe në tri ndeshjet e para të sezonit të Premier League, 25-vjeçari është përfshirë në ekipin e Suedisë për ndeshjet kualifikuese të Kupës së Botës 2026 kundër Sllovenisë dhe Kosovës.
Isak ishte pjesë e seancës stërvitore të së martës dhe do të jetë në dispozicion të Suedisë për ndeshjen kundër Sllovenisë të premten. Ndaj Kosovës, Suedia luan më 8 shtator në Prishtinë.
Përzgjedhësi i Suedisë, Jon Dahl Tomasson, ka deklaruar se Isak nuk është i përgatitur të paraqitet gjatë 90 minutave.
“Ai nuk është i gatshëm të luajë për 90 minuta”, ka thënë Tomasson.
Debutimi i Isakut me Liverpoolin mund të realizohet pas ndeshjeve kualifikuese për Kupën e Botës 2026.
Liverpooli do të luajë kundër Burnleyt më 14 shtator, përpara se të përballet me Atletico Madridin në shtëpi në Ligën e Kampionëve tre ditë më vonë.