Futboll

Irani i vendosur që ta parandalojë “Ndeshjen e Krenarisë” në Botërorin 2026

Irani

Komuniteti LGBTQ+ pritet ta ketë fokusin kryesor në Kupë të Botës rreth ndeshjes ndërmjet Iranit dhe Egjiptit, që organizohet në Seattle. 

Kjo është e paimagjinueshme në Teheran, pasi ndeshja do të jetë në moment të ndjeshëm. 

Irani dëshiron të  mos e zhvillojë “Ndeshjen e Krenarisë” gjatë Kupës së Botës, që organizohet në verën e vitit të ardhshëm në Kanada, Meksikë dhe SHBA. 

“Ne nuk kemi absolutisht interesim që ndeshja jonë e tretë në Kupë të Botës të luhet me ngjyrat e ylberit. Duam që ta parandalojmë këtë me çdo kusht dhe kështu do të bëjmë”, ka thënë presidenti i Federatës së Futbollit të Iranit, Mehdi Taj, ka njoftuar të enjten gazeta “Hammihan”. 

Ai ka shtuar se ndeshja ndaj Egjiptit më 26 qershor në Seattle është në muajin islamik të zisë – Muharrem – ditën e shenjtë të përkujtimit të imamit Hussein. Në këto rrethana, një ngjarje e tillë në këtë kohë është e paimagjinueshme për Iranin, ka shtuar presidenti i federatës iraniane të futbollit. 

Në Iranin islamik, homoseksualiteti konsiderohet mëkat dhe mund të ndëshkohet rëndë, deri në dënim me vdekje. Teherani e sheh planin e organizatorëve të Kupës së Botës në Seattle dhe promovimin e ndeshjeve nën banerin e komunitetit LGBTQ+ si fyerje të vlerave islamike. 

Ekspertët e futbollit në këtë shtet dyshojnë se Irani do ta anulojë ndeshjen për shkak të festave të LGBTQ+. Irani do të garojë në Grupin G, bashkë me Egjiptin, Belgjikën dhe Zelandën e Re, dhe për shkak të raundit shtesë të fazës nokaut, synon që të avancojë nga faza grupore për herë të parë në histori të Kupës së Botës. 

Federata e Futbollit e Egjiptit po ashtu ka protestuar kundër “Ndeshjes së Krenarisë” nëpërmjet një letre dërguar FIFA-s. Në Egjipt ka ligje për “mbrojtjen e moralit apo fesë”, të cilat e ndëshkojnë homoseksualitetin. Për shembull në ligjet që kanë të bëjnë me prostitucionin apo me mirësjelljen e përgjithshme. 

Planet për “Ndeshjen e Krenarisë” ishin finalizuar para se të dyja këto përfaqësuese të konfirmoheshin për ndeshjen e 26 qershorit 2026. Organizatorët e Kupës së Botës kanë njoftuar për qëllimin e tyre për të vazhduar me këtë plan. 

Qyteti demokratiko-liberal i SHBA-së, Seattle, do të festojë me komunitetin LGBTQ+ në vikendin e fundit të qershorit 2026.