Të martën nuk shënoi gol, por Vedat Muriqi vazhdon të jetë shumë i përfolur në Spanjë.
Pasi u lidh me një kalim të mundshëm te Barcelona, Muriqi të martën u bë temë në Turqi. Është gjiganti turk, Fenerbahçe, që ka shprehur interesim për të siguruar shërbimet e kosovarit. Madje mediume të ndryshme turke kanë shkruar se Feneri tashmë ka arritur marrëveshje në parim me Muriqin. Dhe për kthimin e tij në klubin nga Stambolli, sipas raportimeve, ka mbetur marrëveshja e Fenerbahçes me Mallorcan.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoMarrëveshja megjithatë nuk do të jetë e lehtë.
Mediumi “Ultima Hora”, i afërt me Mallorcan, ka shkruar se për Muriqin çmimi minimal është 30 milionë euro.
Agjenti i Muriqit, Utku Cenikli ishte në stadiumin “Son Moix” për ndeshjen e Mallorcas me Valencian. Ai zakonisht nuk përcjell ndeshjet e Mallorcas në stadium, por u shfaq në kohën kur po rriten zërat për largimin e “Piratit” nga ishulli.
“Vizita e tij në Spanjë nuk duket të jetë rastësi pasi vjen në një kohë kur klienti i tij po lidhet me klube të mëdha, me Barcelonën që është një nga ekipet që ka shprehur interesim për kontratën e lojtarit dhe tarifën e mundshme të transferimit”, ka shkruar Ultima Hora.
Muriqi ka 21 gola këtë edicion në La Liga dhe po thyen rekordet e Mallorcas.
“Megjithatë, një largim i mundshëm nuk do të jetë i lehtë – çmimi minimal është vendosur në 30 milionë euro”, ka shkruar mediumi spanjoll.
Mallorca momentalisht dëshiron ta mbajë sulmuesin. Transferimi i Muriqit do të ishte i ndërlikuar, pasi Lazio mban përqindje të konsiderueshme të fitimit neto nga çdo shitje e ardhshme. Sipas “Ultima Hora”, shifra është 45 për qind.
“Me fjalë të tjera, nëse Mallorca e shet Muriqin për 30 milionë euro, ajo do të mbulonte investimin prej 7,5 milionë euro dhe shtesat që kalojnë 1 milion euro. Dhe fitimi i mbetur do të ndahej mes Malllorcas me 55 për qind dhe Lazios me 45 për qind”.
Lazio është ish-klubi i Muriqit, prej të cilit u transferua te Mallorca.
Fenerbahçe e ka kërkuar Muriqin edhe në dimër, ndërsa sulmuesi e kishte lënë këtë çështje në duart e drejtuesve të klubit spanjoll. Dhe Mallorca refuzoi të hiqte dorë.
Derisa interesimi për Muriqin po rritet, largimi i tij nga Mallorca mund të konsiderohet vetëm për dëmshpërblim prej të paktën 30 milionë eurosh. Ai ka kontratë edhe për tri vjet.
Në barazimin 1:1 me Valencian, të martën, Muriqi ishte aktiv por pa realizuar gol. Valencia ishte goxha e fokusuar për të ndalur 31-vjeçarin.
“Kanë filluar të marrin shënime për të pasi është një nga golashënuesit më të mirë të ligës. Po analizojnë çdo lëvizje të tij. Ne duhet të përfitojmë nga kjo. Ata u morën shumë me Muriqin dhe ne dolëm me armë të tjera. Kemi shënuar tjetër gol nga ndërprerjet”, ka theksuar trajneri i Mallorcas, Martin Demichelis.