Xhiroja e 20-të e Serie A pritet të ofrojë ndeshje të forta.
Takimi që pritet ta karakterizojë këtë xhiro është ai ndërmjet Interit dhe Napolit.
Derbi Inter - Napoli luhet të dielën nga ora 20:45.
Katër pikë është diferenca ndërmjet dy skuadrave. Interi është lider me 42 pikë. Napoli e zë vendin e tretë me 38 pikë. Në vendin e dytë renditet Milani me një pikë më shumë.
Napoli xhiron e kaluar u ndal në barazim 2:2 nga Verona në shtëpi, kurse Milani po ashtu barazoi 1:1 me Genoan.
Pikët e lëshuara nga Napoli dhe Milani ia mundësuan Interit që të shkëputet paksa. Interi fitoi 2:0 ndaj Parmas.
Napolitanët në pesë ndeshjet e fundit kanë katër fitore dhe një barazim.
Interi nuk është mposhtur në tetë ndeshjet e fundit në shtëpi kundër Napolit në Serie A.
Po ashtu “nerazurrët” janë të pamposhtur në 43 nga 51 ndeshjet e fundit në elitë. Interi ka fituar vetëm një nga gjashtë ballafaqimet e fundit me Napolin në kampionatin italian.
Skuadra që drejtohet nga trajneri rumun, Cristian Chivu, Interi, ka sulmin më të mirë deri më tani. Këtë edicion, Interi, nuk ka barazuar në asnjë ndeshje. Ka gjashtë fitore radhazi në kampionat.
Në fundjavë do të zhvillohen edhe disa ndeshje interesante.
Milani të dielën nga ora 15:00 luan në udhëtim te Fiorentina. Fitorja është shumë e rëndësishme për “kuqezinjtë”. Fiorentina është në pozitën e parafundit me 13 pikë.
Xhiroja e 20-të përfundon të hënën me ndeshjen që luhet nga ora 20:45 mes Juventusit dhe Cremoneses.
Juve ka 36 pikë në vendin e katërt. Cremonese është në pozitën e 13-të me 22 pikë.