Mesfushori Ylldren Ibrahimaj e ka regjistruar asistimin e dytë këtë edicion në elitën e futbollit norvegjez.
Ibrahimaj luan për Lillestromin, që të shtunën e mposhti skuadrën KFUM Oslo me rezultatin 2:1. Kjo ndeshje i takoi xhiros së 14-t.
30-vjeçari Ibrahimaj asistoi te goli i barazimit për 1:1 të cilin e realizoi Gustav Nyheim në minutën e gjashtë.
Ai e kompletoi ndeshjen dhe ishte prej më të mirëve në fushë.
Ibrahimaj kishte asistuar edhe në fitoren 2:0 të Lillestromit ndaj Valerengas më 19 prill.
Mesfushori kosovar iu bashkua Lillestromit në muajin janar si lojtar i lirë.