Një gol iu anulua Dinamo Zagrebit, për disa minuta ballafaqimi u ndërpre shkaku i hedhjeve të fishekzjarrëve. U ndanë 14 kartonë të verdhë, ndërsa goli i barazimit 1:1 erdhi në minutën e 12-të të kohës shtesë. Të gjitha këto u panë të shtunën në ndeshjen e zjarrtë dhe dramatike ndërmjet Dinamo Zagrebit dhe Hajdukut në stadiumin “Maksimir”, që i takoi xhiros së 16-të të kampionatit elitar kroat.
Edhe ky derbi i madh kroat, si disa të tjerë, u vendos sërish nga Arbër Hoxha. Sulmuesi i Shqipërisë, në superformë, e realizoi golin për 1:1 për Dinamo Zagrebin, në minutën e 102-të.
Gjuajtjen e Sandro Kulenoviqit e priti portieri kundërshtar. Nga topi i kthyer përfitoi Hoxha që shënoi për rezultatin përfundimtar dhe për ta mbajtur Dinamo Zagrebin në krye të tabelës. Michele Sego shënoi për mysafirët në minutën e 68-të.
“Kjo do të thotë shumë për mua, por unë nuk jam i lumtur vetëm me një pikë. Mendoj se ishim shumë të mirë, kemi pasur shumë shanse për shënim në pjesën e parë, njësoj si në pjesën e dytë. Hajduku nuk kishte asnjë shans përveç golit dhe ata shënuan nga mundësia e parë. Më pas ishte e vështirë të ktheheshim në lojë. Shënova për 1:1 dhe kjo është gjëja më e rëndësishme për mua, të qëndrojmë në vendin e parë. Dy javë më parë ishim në vendin e dytë dhe tani jemi të parët. Luajmë edhe në Evropë dhe jemi pak të lodhur. Nuk kemi nevojë për motivim për Evropë. Do të luajmë kundër Betisit dhe kemi shumë kualitet”, theksoi Hoxha pas ndeshjes.
Dinamo Zagrebi i pari ka 32 pikë, një më shumë se Hajduku i Splitit.
Hoxha e kompletoi ndeshjen dhe u vlerësua prej më të mirëve në fushë. Adrion Pajaziti te Hajduku luajti deri në minutën e 86-të, ndërsa Ron Raçi luajti në tërë ndeshjen.
Për 27-vjeçarin Hoxha ishte goli i gjashtë i shënuar në edicionin aktual. Ai i ka edhe tri asistime, dy në kampionat dhe një në Kupën e Kroacisë.
Hoxha te Dinamo Zagrebi është prej janarit të vitit 2024 kur u transferua nga Slaven Belupo, ndërsa ka kontratë deri në vitin 2029. Në Kroaci ka luajtur edhe te Lokomotiva, skuadër së cilës iu bashkua nga Ballkani i Suharekës. Në Kosovë, Hoxha ka luajtur edhe tek Istogu, Prishtina, Hajvalia e Besa e Pejës. Pas kalimit në kampionatin elitar kroat, Hoxha ka realizuar disa gola të rëndësishëm. Dhe ka qenë shumë vendimtar në ndeshjet derbi edhe më herët.
Në fillim të muajit nëntor vendosi derbin e xhiros së 12-të. Dinamo e mposhti në “Maksimir” kampionen në fuqi të Kroacisë, Rijekën, 2:1. Supergoli i Hoxhës ia siguroi pikët e plota Dinamos. Ndaj Rijekës kishte shënuar edhe vitin e kaluar në udhëtim, në fitoren 2:1.