Futboll

Gol në çdo dy ndeshje, Muriqi i lumtur për ecurinë e mahnitshme

Vedat Muriqi - Real Mallorca

Njëjtë si te Kosova, Vedat Muriqi vazhdon të jetë vendimtar te Mallorca në La Liga të Spanjës.
Të dielën mbrëma 31-vjeçari shënoi golin për fitoren 1:0 të Mallorcas ndaj Getafes. Me fitore, Mallorca është larguar ndjeshëm nga zona e rrezikshme e kampionatit spanjoll. Tani është e 15-ta me 12 pikë. 

Muriqi i ka 40 gola në 120 paraqitje në La Liga. Pra prej se është transferuar në Spanjë, mesatarisht ka shënuar në çdo të tretën ndeshje. Përqindja e golave për ndeshje është dukshëm më e mirë në këtë edicion. Ai ka gjashtë gola në 11 paraqitje kampionale dhe në 12 paraqitje gjithsej. Pra ka realizuar në çdo të dytën ndeshje.

Te Mallorca, në bazë të shifrave, po e kalon formën më të mirë ndonjëherë. Ka përmirësim të ndjeshëm me kampionatin e kaluara.

Në dy edicionet e kaluara i kishte nga shtatë gola gjithsej, por i kishte nga 29 paraqitje. Në edicionin 2022/2023 i shënoi 15 gola në 35 paraqitje. Në pjesën e dytë të edicionit 2021/2022, i shënoi pesë gola në 16 paraqitje.

Muriqi tani i bashkohet Kosovës, ndërsa ndaj Sllovenisë dhe Zvicrës do të paraqitet i frymëzuar nga golat vendimtarë të shënuar për Mallorcan. 

“Kemi dashur të fitojmë para pushimit ndërkombëtar dhe po ndihemi shumë mirë. Ky ishte synimi, të fitojmë pavarësisht të gjithave. Jemi të lumtur që e arritëm. Shkojmë në pushim me ndjenjën e qetësisë dhe tani do të kemi dukshëm më tepër kohë për të përmirësuar gabimet dhe që të kërkojmë më tepër”, ka thënë Muriqi pas ndeshjes.

Kosova të shtunën luan me Slloveninë në Lubjanë e më pas e pret Zvicrën në Prishtinë. Janë ndeshjet e fundit dhe vendimtare të kualifikimeve për Botërorin 2026. Dhe pritjet prej Muriqit janë të mëdha.

Sulmuesi i fuqishëm është i lumtur për golin e fitores te Mallorca. Prizrenasit i pëlqen fakti që skuadra e mbajti epërsinë për gati 80 minuta.

“Ishim brutalë, kemi fituar duelet. Jemi mbrojtur mirë, ndonëse kishte momente kur ishim në presion. Kemi rezistuar, kemi shfaqur shpirt ekipor. Kjo na ka munguar këtë kampionat”, ka shtuar Muriqi.

Ai është pyetur edhe për shifrën prej gjashtë golave.

“Po ndihem shumë mirë, të jem i sinqert. Jam sulmues dhe e di që edhe pse kam bërë disa gjëra të mira, ajo që më mundëson të ec përpara janë golat e mi, janë thjesht shifra, apo jo? Dhe jam shumë i lumtur. 12 ndeshje, gjashtë gola, pra përgjysmë. Për një sulmues kjo është fantastike. Dhe shpresoj se nuk do të ndalem, por do të vazhdoj drejt golave të tjerë”, ka theksuar Muriqi.

Edhe te Kosova, Muriqi shënon mesatarisht në çdo të dytën ndeshje. Ka 32 gola në 64 paraqitje.