Përfaqësuesja e Gjermanisë ka shënuar fitore me vështirësi në miqësoren e fundit para “Euro 2024”. Gjermania mposhti në Moenchengladbach përfaqësuesen e Greqisë me rezultatin 2:1.
Golin e fitores gjermanët e shënuan në minutën e 89-të.
Greqia kaloi e para në epërsi me golin e realizuar nga Georgios Masouras. Ai shënoi në minutën e 34-t. Me rezultatin 1:0 përfundoi edhe pjesa e parë.
Por gjermanët në pjesën e dytë treguan më shumë nga loja, duke realizuar dy golat e fitores. Fillimisht në minutën e 56-të Kai Havertz barazoi shifrat në 1:1, ndërsa fitoren Gjermanisë ia siguroi në minutën e 89-të, Pascal Gross.
Nikoqirja e Evropianit, Gjermania është në Grupin A së bashku me Skocinë, Hungarinë dhe Zvicrën. Ndeshjen hapëse e ka më 14 qershor ndaj Skocisë.