Futboll

Gallapeni, fituesi i lindur që i bëri të gjithë për vete

w

Kur e luajti si startues ndeshjen e parë për Kosovën, mbrojtësi 20-vjeçar, Dion Gallapeni, dukej sikur kishte luajtur në nivel ndërkombëtar prej shumë vjetësh. 

Lojtari i Widzew Lodzit shfaqi gjakftohtësi dhe kontroll të jashtëzakonshëm të topit në krahun e majtë, në ndeshje kualifikuese të Kupës së Botës 2026 në shtator kundër Suedisë në Prishtinë. Pasi ndihmoi Kosovën të fitonte ndaj Suedisë 2:0, Gallapeni i dha shenja selektorit Franco Foda se mund të llogariste në të edhe për të ardhmen.

Gallapeni bëri paraqitje mbresëlënëse edhe në barazimin pa gola kundër Sllovenisë në “Fadil Vokrri”, dhe në fitoren ndaj suedezëve në Goteborg, 1:0, të hënën. 

Me shkëlqimin në tri ndeshjet kualifikuese për Kupën e Botës 2026, Gallapeni tërhoqi vëmendje të madhe në opinion.

Fakti që përzgjedhësi Franco Foda nuk hezitoi për ta futur Gallapenin kundër dy përfaqësueseve të mbushura me yje, flet shumë për besimin që ka te majtaku i ri. 

Me Gallapenin si startues, Kosova nuk njeh humbje. 

Rrugëtimi i Gallapenit në futboll nisi nga Shkolla e Futbollit “Winner”, që në shqip do të thotë “Fitues”.

Në fakt Gallapeni është fitues. Por edhe Kosova ka fituar shumë me të.

“Nëse i marrim katër ndeshjet e fundit në kualifikime, mund të them se jam i kënaqur me paraqitjet e mia. Por ky nuk është maksimumi im sepse e di që mundem edhe më shumë”, ka thënë Gallapeni për KOHËN të mërkurën.

Gallapeni ishte lojtari më i ri në moshë që u paraqit për Kosovën gjatë grumbullimit të fundit. Paraqitja me lojtarë të konfirmuar dhe përvojë të madhe i ka dhënë Gallapenit një ndihmë për të ardhmen.

“Të kontribuoj për vendim tim për mua është detyrim dhe obligim shpirtëror dhe besoj që në çdo ndeshje do të jap më të mirën për Kosovën”.

Ëndrra e madhe e Gallapenit

Kur Gallapeni fitoi rastin të paraqitet për herë të parë me fanellën e Kosovës, ishte pjesë e klubit të futbollit Prishtina. Ai luajti nga minuta e 87-të ndaj Islandës, në ndeshjen kthyese të plejofit për Ligën B të Ligës së Kombeve. Kosova e fitoi 3:1 ndeshjen e luajtur në mars në Murcia të Spanjës.

Debutimi me Kosovën ishte ëndërr e realizuar për Gallapenin. Për Kosovën i ka shtatë paraqitje tashmë. 

“Po, realisht po”, thotë ai. “Më është plotësuar njëra ndër ëndrrat më të mëdha dhe të familjes sime për të përfaqësuar vendin tim. Paraqitja në këtë moshë në këtë nivel për mua do thotë shumë.

Ndihem i plotësuar dhe po e shijoj çdo moment”.

Por cila është ëndrra tjetër e Gallapenit me Kosovën?

“Besoj se do të kualifikohemi dhe do të bëjmë realitet ëndrrën e një kombi të tërë”.

Ai iniston se Kosova duhet ta shfrytëzojë momentin e mirë. 

“Duke parë ndeshjet dhe paraqitjet që kemi treguar, besimi është rritur ndjeshëm. Gjasat i kemi shumë të mira pasi kemi ekip shumë të mirë, jemi të bashkuar të gjithë dhe luftojmë për njëri-tjetrin”, ka deklaruar mbrojtësi i krahut të majtë.

Pas fitores ndaj Suedisë, Kosova ka rritur gjasat për kualifikim në Botërorin që vitin e ardhshëm mbahet në SHBA, Meksikë dhe Kanada.

Kosova është e dyta në grupin B me shtatë pikë. Lidere e grupit është Zvicra me 10 pikë. Sllovenia është e treta me tri pikë, kurse Suedia renditet në pozitën e fundit me një pikë.

“Siç kanë rrjedhur rezultatet besoj se kemi treguar se edhe ne jemi nivel për ligat më të forta të Evropës”, thotë Gallapeni.

Ai është krenar që ka fituar rastin të luajë për Kosovën. Fanellën e Kosovës e djersiti edhe në tri paraqitje për Shpresa. 

Kishte raportime se për Gallapenin kishte shprehur interesim edhe Shqipëria. Por ai ishte i vendosur të luante vetëm për Kosovën.

“Për mua dhe familjen time është nder dhe krenari që ta përfaqësoj vendin tim. Jam krenar për çdo moment që kam kontribuar për vendin tim. Jam krenar për veten personalisht me vetëm një gjë - që me paraqitjet e mia kam sjellë shumë gëzim, lot e buzëqeshje te të gjithë shqiptarët në të gjithë botën. Kur shoh gëzim e emocion në fytyrat e tyre për mua është me të vërtetë krenari”.

“Winner”, Prishtina, Widzew Lodz... cili është hapi tjetër?

Gallapeni është nga Suhareka, ndërsa me futboll nisi të merrej kur ishte 10-vjeçar. Hapat e parë i bëri në Shkollën e Futbollit “Winner”, në Prizren. 

Për “Winner” luajti deri në moshën 16-vjeçare.

“Jam falënderues dhe mirënjohës për kohën e kaluar në atë shkollë ku përveç punës së madhe që kanë bërë i vlerësoj edhe për besimin dhe gjithçka çfarë kanë bërë për mua”, është shprehur ai.

Nga Prizreni, Gallapeni u zhvendos në Prishtinë bashkë me familjen. Ai u zhvillua tutje si lojtar në Shkollën e Futbollit “Prishtina”. Fillimisht në gjeneratën U17. Pas një periudhe të shkurtër ai kaloi në ekipin U19 e shpejtë fitoi rastin edhe në ekipin e parë të Prishtinës.

“Në Prishtinë kam kaluar momente të mirë dhe çdo përjetim aty do të jetë një kujtim i paharruar për mua. Do të thosha se momenti im i parë i paharruar është triumfi me Prishtinën në Superkupë që u zhvillua në Turqi”.

Pas paraqitjeve të mira me fanellën e Prishtinës, Gallapeni ra në sy të disa skuadrave evropiane. Por ai vendosi për klubin polak Widzew Lodzin. Kalimi nga Prishtina i kushtoi 250 mijë euro klubit polak. Tani pas shkëlqimit me Kosovën, vlera në tregun e transferimeve i është rritur goxha shumë. Vlerësohet 1 milion euro.

“Mendoj që hapi im i parë i madh është transferimi në Poloni. Transferimi këtu për mua është një shtytje e madhe për të krijuar personalitet dhe për të fituar përvojë në nivele më të larta. Besimin e kam të madh se një ditë do të realizoj ëndrrat e mia dhe do të luaj në top-ligat e Evropës. Shpresoj që të kem së pari shëndetin e pastaj të tjerat i arrij vetë”, thotë me shumë besim Gallapeni.

Hapi tjetër për yllin e ri të Kosovës do të jetë bashkimi me një klub shumë më të madh se Widzew Lodz. 

“Që nga fillimet e mia, gjëja që e kam pasur gjithmonë pas vetes është besimi. Duke parë ndeshjet që po zhvilloja dhe paraqitjet e mira, fillova të ëndërroj sepse besimin vetëm e kisha. Fjalët e mira të njerëzve pas çdo ndeshje vetëm se më motivonin dhe forconin besimin”.

Ai ka besim se me Kosovën, kualifikimi në Botëror është i arritshëm.

“Kam disa momente të mira në karrierë. Që të gjitha kanë vlerën e vet por do të veçoja këto të fundit, momentin e golit të parë në Poloni dhe paraqitjet me Kosovën në kualifikimet për Kupën e Botës 2026, veçanërisht dy ndeshjet me Suedinë”, ka thënë Gallapeni.

Kosova në nëntor i luan dy ndeshjet e fundit kualifikuese për Kupën e Botës. Më 15 nëntor luan në udhëtim ndaj Sllovenisë, kurse më 18 nëntor e pret Zvicrën. 

Nëse Gallapeni nuk do të ketë telashe me ndonjë lëndim, atëherë do të jetë i padiskutueshëm në krahun e majtë të mbrojtjes.