Galatasaray, kampion i Turqisë
Galatasaray e ka fituar titullin në elitën e futbollit të Turqisë të dielën, pas fitores 3:0 ndaj Kayserisporit.
Skuadra e madhe turke, më e suksesshmja në Turqi, e fitoi titullin tretë rresht dhe të 25-tin në histori. Festa ishte e madhe para tifozëve të vet të zjarrtë. Në fanellë nga edicioni i ardhshëm do ta ketë edhe një yll tjetër.
Gjatë kësaj jave, Galatasaray e fitoi edhe Kupën e Turqisë, pas fitores 3:0 ndaj Trabzonsporit.
Kështu e konfirmoi edhe dominimin në këtë sezon, pavarësisht se deri në fund, pati luftë të fortë me Fenerbahçen e Jose Mourinhos.
Kampionati në përgjithësi është karakterizuar edhe me shumë akuza ndaj gjyqtarëve për anim jo të drejtë, sidomos nga trajneri i Fenerbahçes, portugezi Mourinho.
Dy xhiro para fundit, Galatasaray e fiton titullin me 89 pikë, tetë më shumë se Fenerbahçe që do të përfundojë e dyta.
Galatasaray që e regjistroi fitoren e nëntë rresht, fitoi falë golave të Victor Osimhenit e Barish Alper Yilmazit në pjesën e parë, dhe portierit Fernando Muslera në pjesën e dytë. Uruguaiani Muslera realizoi nga penalltia në minutën e 89-të.
Për Osimhenin ishte goli i 25-t në ligë në këtë edicion. Tifozët në stadiumin “Rams Park” kanë bërë edhe koreografi që Osimhen të qëndrojë në skuadër. Por, ai pritet të largohet nga Turqia në afatin kalimtar veror. Goli i Osimhenit ishte edhe i veçantë po ashtu. Momenti emocionues ishte pasi spikeri zyrtar e lejoi vajzën e tij që ta thirrë emrin e tij, ndërsa të pranishmit vazhdonin thirrjet pas saj.
Fitore të dielën shënoi edhe Fenerbahçe që e mposhti Eyupsporin, 2:1, me golat e Youssef En Nesyrit dhe Edin Xhekos. Por, ato nuk mjaftuan për ta ndalur festën e Galatasarayt.