Mesfushori Behar Neziri është zhvilluar si futbollist te Bayern Muncheni. 22-vjeçari tani po luan me sukses te St. Galleni në Superligën e Zvicrës. Por ai ëndërron që të luajë sërish për gjigantin gjerman të futbollit.
Neziri ka kompletuar tetë ndeshjet e deritashme të St. Gallenit në Superligën e Zvicrës. Që në ndeshjen e parë impresionoi. Udhëhoqi skuadrën drejt fitores 2:1 ndaj Baselit.
“E kam dashur fanellën e Xherdan Shaqirit, por për fat të keq ajo ishte rezervuar tashmë. Ndoshta herën tjetër”, ka thënë Neziri për “Blick”.
Shaqiri është njëri prej lojtarëve të pëlqyer të Nezirit. E kaluara te Bayerni i lidh dy lojtarët me rrënjë nga Kosova.
Ai për herë të parë po luan në Superligën e Zvicrës, ndërsa thotë se ka pritur gjatë për këtë moment.
“Më është dashur të pres gati dy vjet për këtë moment, për shkak të lëndimeve dhe huazimit te Wili”, ka thënë Neziri.
Neziri, i lindur në Gjermani, në verën e viti 2016 kaloi nga Augsburgu te Bayerni. Te Bayerni luajti në ekipet e grupmoshave e po ashtu për ekipin e dytë. Në vitin 2023 kaloi te St. Galleni, tek ekipi U21. Një vit më pas u huazua te Wili, ndërsa prej verës po luan me ekipin e parë të St. Gallenit.
Neziri thotë se Bayerni i kishte ofruar vazhdim të kontratës, por se ka dashur të bëjë lëvizjen te St. Galleni. Vlerëson se sa i takon infrastrukturës, St. Galleni qëndron në nivel me klubin bavarez.
Natyrisht gjasat për të luajtur i kishte dukshëm më të mëdha në Zvicër se te Bayerni. Trajneri i St. Gallenit, Enrico Maasen e vlerëson Nezirin. Për të thotë se ka “figurë më të gjerë” të lojës dhe se kujdeset për bashkëlojtarët.
Neziri shquhet për profesionalizmin dhe për këtë flasin të gjithë te klubi zviceran. Ai është shumë ambicioz, kurse e ëndërron kthimin te Bayerni. Por në ekipin e parë. Neziri në kategori të reja ka kaluar edhe me superyllin Jamal Musiala.
“Kam luajtur edhe me Aleksandar Pavloviqin në mesfushë. Mund ta imagjinojë që ta bëjë këtë edhe në të ardhmen”, thotë Neziri.
Ai luajti për U16, U19 e U21 të Kosovës. Ishte në listën e gjerë të Kosovës për ndeshjet e shtatorit.