Nottingham Foresti do të drejtohet nga Nuno Espirito Santo edhe në tri edicionet e tjera pasi trajneri e nënshkroi të premten marrëveshjen e re me klubin e Premier Leagues.
Tekniku portugez e udhëhoqi Forestin drejt vendit të shtatë në Premier League në sezonin e kaluar, dhe e kualifikoi skuadrën në Evropë për herë të parë që prej edicionit 1995-96.
“Jam shumë i gëzuar që do ta vazhdoj rrugëtimin në këtë klub fantastik”, ka thënë Nuno pas vazhdimit të kontratës.
Nuno e zëvendësoi Steeve Cooperin në dhjetor të vitit 2023 dhe e mbajti Forestin në elitë. Foresti e siguroi mbijetesën në ditën e fundit të sezonit 2023-24.
Ish-trajneri i Wolvesit dhe Tottenhamit po ashtu e udhëhoqi Nottingham Forestin në gjysmëfinale të Kupës FA për herë të parë që prej vitit 1991, por u mposht 2:0 nga Manchester City.