Për Ferizajn, finalja e së enjtes do të jetë e treta që nga pavarësimi i futbollit kosovar në vitin 1991.
Për finalistin tjetër të Kupës së Kosovës në futboll, Dukagjinin, do të jetë hera e katërt.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoTë dyja ekipet në finalet e kaluara nga fusha kanë dalë duarbosh. Dhe të enjten mbrëma ose Ferizaj, ose Dukagjini do ta fitojnë për herë të parë në histori Kupën e Kosovës në futboll.
Ferizaj dhe Dukagjini ballafaqohen në finalen e Kupës nga ora 20:00 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Trajneri i Ferizajt, Arsim Abazi, uron t’i sjellë fat finalja e tretë.
“Uroj të jetë e treta e vërteta”, tha Abazi për KOHËN të mërkurën.
Ai thotë se përgatitjet për finalen e Kupës kanë nisur javë më parë.
“Përgatitjet për finalen e Kupës i kemi nisur më herët, edhe kur kishim ndeshje vendimtare në kampionat. Nuk dua të flas për kampionatin, por në finale do të hyjmë për ta fituar. Jemi të kompletuar për këtë ndeshje, nuk kemi lëndime apo mungesa të natyrave të ndryshme. Ekipi është mirë si në aspektin mental ashtu edhe atë fizik. Lojtarët janë shumë të motivuar, atmosfera është e mirë dhe do të ishte mirë për qytetin e Ferizajt, tifozët tanë, që ta mbyllin me sukses finalen e Kupës”, është shprehur Abazi, i kthyer javë më parë në krye të shtabit teknik të Ferizajt.
Ferizaj e humbi garën e fortë për mbijetesë.
Ferizaj fundjavën e kaluar ra nga Superliga pas barazimit 3:3 me Prishtinën.
Dukagjini i Klinës është ende në garë për të shmangur pozitën e tetë, që dërgon në barazh.
Dukagjini është në vendin e gjashtë me 45 pikë, derisa Llapi i vendit të tetë ka dy pikë më pak.
Deri në fund të edicionit kanë mbetur edhe dy xhiro.
Shpresë për ta fituar Kupën e Kosovës kanë edhe te skuadra nga Klina, Dukagjini.
Trajneri Arsim Thaqi beson në karakterin dhe cilësinë e ekipit.
“Në ndeshjen kundër Ballkanit dëshmuam se Dukagjini ka karakter, cilësi dhe është i përgatitur për ndeshje të tilla. Pres nga lojtarët qasjen e njëjtë. Fitorja për ne do të ishte historike, do të ishte Kupa e parë për Dukagjinin. Derisa kemi ardhur këtu, synimi është ta mbyllim me sukses edhe finalen”, ka thënë Thaqi.
Ai ka shtuar se Dukagjini do të rritej si ekip në shumë aspekte nëse të enjten del fitues nga fusha e stadiumit “Fadil Vokrri”.
“Do të ishte motiv shtesë për të vazhduar rritjen në të ardhmen. Dalja në Evropë ka benefite dhe do të rriste edhe më shumë entuziazmin për të ardhmen. Por për të arritur Evropën, duhet ta fitojmë Kupën”, ka theksuar Thaqi.
Thaqi gjatë këtij edicioni drejtoi edhe Prishtinën. Me Prishtinën e fitoi Kupën e Kosovës edicionin e kaluar. Tani synon ta fitojë si trajner i Dukagjinit.
Kupa është rruga më e shkurtër për dalje në Evropë, përkatësisht për raundin e parë kualifikues të Ligës së Konferencës.
Këtë rrugë shpresojnë ta përfundojë në mënyrën më të mirë të mundshme Ferizaj e Dukagjini.