Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kurti s’përgjigjet nëse po i pret zhvillimet në LDK për të rinisur bisedimet

Albin Kurti - Lumir Abdixhiku

Foto: Driton Paçarada

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, nuk iu është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve nëse është duke pritur që Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) të mbajë Kuvendin e jashtëzakonshëm, para se të nisin diskutimet për formimin e institucioneve të reja.

Kurti për këtë çështje është pyetur pas një ceremonie në Aeroportin e Prishtinës. Megjithatë, ai nuk i është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve.

Para një jave, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, njoftoi për ndërprerjen e angazhimeve për formimin e institucioneve të Kosovës. Këtë vendim Abdixhiku e mori pas nismës për shkarkimin e tij nga posti i kryetarit të partisë.

Paraprakisht, KOHA raportoi se në takimin që zgjati më shumë se dy orë, Lumir Abdixhiku, Vjosa Osmani dhe Albin Kurti janë marrë vesh në parim për formimin e institucioneve dhe ndarjen e pozitave në to.

Sipas burimeve të KOHËS, Lidhja Demokratike do të përfshihej në koalicion qeverisës duke marrë zëvendëskryeministrin e parë dhe tri Ministri. Gjithashtu, sipas burimeve LDK-ja do ta merrte edhe pozitën e kryetarit të Kuvendit. E, presidenti t'i mbetej Vetëvendosjes.

Edhe LDK-ja pezullon bisedimet me LVV-në pas nismës për shkarkimin e Abdixhikut Arbëri 6 d. më parë LDK-ja pezullon bisedimet me LVV-në pas nismës për shkarkimin e Abdixhikut

E ndërkohë, ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka bërë me dije se të premten do ta caktojë datën e mbledhjes konstituive të Kuvendit të Kosovës. Kjo datë, sipas saj, do të jetë në javën e parë të gushtit.

Haxhiu ka kohë deri më 7 gusht ta thërrasë seancën konstituive, pasi përfundon afati rrjedhës kushtetues pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 7-qershorit.

Edhe nga LDK-ja ditë më parë u deklarua se synojnë që ta organizojnë Kuvendin e jashtëzakonshëm të partisë para 7 gushtit.

“Ajo do të bëhet në javën e parë të muajit gusht, edhe të premten, besoj, do ta bëj një njoftimin se kur saktësisht do të mbahet kjo seancë”, ka thënë Haxhiu në orët e vona të së martës në Prizren.

Si arsyetim, Haxhiu ka thënë se nuk është nxituar për caktimin e kësaj seance në mënyrë që partitë të kenë më shumë kohë për të negociuar rreth zgjedhjes së presidentit.

Edhe Abdixhiku: Pezulloj angazhimet për formimin e institucioneve pas nismës për shkarkimin tim Arbëri 6 d. më parë Abdixhiku: Pezulloj angazhimet për formimin e institucioneve pas nismës për shkarkimin tim

Por që të premten të caktohet data e seancës konstituive të Kuvendit, u kritikua nga deputeti i zgjedhur i Aleancës, Burim Ramadani. 

Ai ka pyetur Haxhiun se pse kjo seancë nuk është caktuar sot dhe ku është dallimi me të premten, duke ngritur kështu dyshime nëse ka edhe ndonjë skenar prapa kësaj.

“Kjo pushtetarja që rriti jashtëligjshëm pagesën e tenderave për 326% (alo…Prokuroria a jeni këndej?!) paska thënë që të premten e cakton datën e seancës së Kuvendit. Pse s’e caktove sot? Çka paska të premten ndryshe nga sot? Çfarë skenari po përgatisni?”, ka shkruar Ramadani në faqen e tij në Facebook.

Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, nuk e pranoi ftesën për takim të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, të cilën ia kishte dërguar edhe PDK-së e LDK-së, që të diskutohet për formimin e institucioneve. 

Gjini edhe më parë kishte deklaruar se nuk dëshirojnë të bëhen pjesë e qeverisjes së Kurtit por do ta mbështesë formimin e institucioneve nëse plotësohen gjashtë kushtet e kësaj partie

Edhe A e garanton zgjedhjen e presidentit një marrëveshje VV-LDK? Arbëri 1 j. më parë A e garanton zgjedhjen e presidentit një marrëveshje VV-LDK?

Kushtet përfshijnë mes tjerash "Orientimin strategjik dhe gazin amerikan: Pranimi i menjëhershëm i projektit të gazit amerikan si projekt i rëndësisë jetike për orientimin afatgjatë të shtetit."

Kushtet e tjera përfshijnë premtime zgjedhore të këtij subjekti politik.