Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

“Fëmija i Thunit” në prag të historisë me ekipin e vogël

Valmir Matoshi

Ndjenjën e festës dhe suksesit, Valmir Matoshi e ka përjetuar njëherë me Thunin. 

22-vjeçari edicionin e kaluar me Thunin festoi ngritjen në Superligë nga Kategoria e Dytë e Zvicrës. Këtë vit është afër të festojë titullin e kampionit të Zvicrës në futboll.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Thuni nuk ka fituar titull deri më tani. Nuk është prej klubeve të mëdha helvetike. Por këtë edicion i është afruar goxha shumë suksesit historik.

Pas xhiros së 29-të i ka 68 pikë, plot 14 më shumë se St. Galleni i vendit të dytë.

“Sa i përket fillimit të sezonit, ka qenë nder për mua të paraqitesha si startues, kurse tani situata është krejt ndryshe. Jemi në krye të tabelës me 14 pikë dallim nga vendi i dytë. Nuk ishte i pritur ky rezultat, por ndihem shumë mirë dhe në formë për të vazhduar tutje”, ka thënë Matoshi për KOHËN, të mërkurën.

Kontributi i Matoshit në arritjet e Thunit është i madh. Sidomos tetë xhirot e fundit Matoshi shpërtheu me gola e asistime.

Ai në 26 ndeshje këtë edicion ka kontribuar me pesë gola e katër asistime. 

“Kemi punuar maksimalisht për të ruajtur formën fizike e po ashtu edhe taktikisht. Këto kanë ndikuar që unë të jap ndihmë me gola e asistime. Në formën e mirë të ekipit po ashtu ka ndikuar edhe energjia pozitive, vullneti për fitore dhe sipas të gjitha gjasave do të jemi kampion të këtij edicioni”, ka theksuar kosovari.

Matoshi është zhvilluar si lojtar te Thuni, klubi i qytetit të tij të lindjes. 

Prejardhjen e ka nga Kosova, përkatësisht Suhareka.

“Thuni është ekipi ku kam nisur ëndrrën time si futbollist. Për mua është e jashtëzakonshme të bëj karrierë në futbollin zviceran dhe njëkohësisht të rritesha pranë familjes. Mendoj se më ka ndihmuar shumë afërsia me familjen. Kam pasur mbështetjen nga prindërit. Mbështetësi më i fortë ka qenë babai im, tashmë i ndjerë”, thotë mesfushori ofanziv.

Ai me Thunin ka kontratë deri në verën e vitit 2027. Interesimi për Matoshin tashmë ka nisur pas paraqitjeve të mira.

Por mesfushori ende nuk ka vendosur për të ardhmen.

“Kam pasur disa oferta si ne ekipe italiane po ashtu edhe gjermane. Por gjatë bisedimeve me menaxherin kam thënë se synimi im për momentin është 100 % shpallja kampion me Thunin".

Matoshi ka luajtur tetë ndeshje për Zvicrën U21, kurse ka realizuar dy gola. Një gol e ka shënuar edhe për ekipin U20 të helvetikëve.

Matoshi nuk ia ka mbyllur derën Kosovës.

“Kam luajtur për Zvicrën U20 dhe U21. Me ekipin A të Zvicrës nuk kam pasur ende kontakte. Do të isha shumë i lumtur po të kisha një ftesë nga cila do të ishte ajo”, ka thënë Matoshi.

Pjesë e Thunit është edhe mesfushori Kastriot Imeri. Legjendë e Thunit është Milaim Rama.