Futboll

Ekipet që luftojnë për mbijetesë luajnë me ato të kreut

Inter

Xhiroja e 17-të e Serie A të Italisë nis të shtunën. Ekipet që luftojnë për mbijetesë do të luajnë me kandidatët për titull kampioni. 

Lideri i tabelës, Interi, që ka 33 pikë, luan në udhëtim tek Atalanta të dielën nga ora 20:45. 

Është e vetmja ndeshje që vlerësohet më e fortë në këtë vikend në Itali. 

Të shtunën nga ora 20:45, Juventusi luan në udhëtim te Pisa. Juventusi është në vendin e pestë me 29 pikë dhe synon që me fitore të kthehet në garën për titull. Pisa është e 19-a, përkatësisht e parafundit, me 11 pikë. 

Të dielën nga ora 12:30, Milani e pret Veronën. Milani është i dyti me 32 pikë, ndërsa Verona e 18-ta me 12 pikë. 

Ndërkohë, Napoli, kampioni në fuqi i Italisë që ditë më parë triumfoi në Superkupën italiane, luan në udhëtim te Cremonese. Ndeshja e skuadrës ku paraqitet kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani, luhet të dielën nga ora 15:00. Napoli është i treti me 31 pikë.  

Xhiroja hapet të shtunën nga ora 12:30 me ndeshjen Parma – Fiorentina, që është duel direkt për mbetje në elitë. Parma i ka 14 pikë në vendin e 16-të, ndërsa Fiorentina e fundit i ka vetëm nëntë pikë. 

Roma – Genoa, që zhvillohet të hënën nga ora 20:45, e mbyll këtë xhiro. 

Për Daniele De Rossin do të jetë rikthim i veçantë në “Olimpico” të Romës. Ai tani është trajner i Genoas.