Paris Saint-Germaini konfirmoi statusin si një nga klubet më të mëdha në histori të futbollit evropian, duke u bërë vetëm ekipi i dytë që e mbron Ligën e Kampionëve.
Fitorja 4:3 me penallti ndaj Arsenalit, të shtunën mbrëma në Budapest, pas barazimit 1:1 në kohën e rregullt dhe në vazhdime, siguroi trofeun e dytë evropian. Triumfi në Budapest erdhi pas asaj fitoreje maestrale 5:0 ndaj Interit, një vit më herët.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoPSG-ja u bë skuadra e parë që mbrojti me sukses titullin që kur Real Madridi e fitoi tri herë rresht, nga viti 2016 e deri në vitin 2018. PSG është bërë vetëm klubi i dytë që ka mbrojtur trofeun e garës elitare evropiane, prej se ajo zhvillohet në formatin e Ligës së Kampionëve, nga viti 1993 e tutje.
Në historinë 71-vjeçare të garës kryesore evropiane, Paris Saint-Germaini është vetëm klubi i dhjetë që fiton tituj të pnjëpasnjëshëm.
“Kam ndjenja të përziera”, tha trajneri Luis Enrique pas ndeshjes. “Emocion, lodhje – gjithçka. Por ky është momenti më i mirë i edicionit. Ne jemi ende kampionë, dy tituj radhazi, është e mahnitshme”, ka shtuar spanjolli.
Dhjetë lojtarë që kishin startuar ndaj Interit një vit më parë, startuan edhe ndaj Arsenalit të shtunën mbrëma. Vetëm portieri Matvey Safonov ishte i ri. Ai u paraqit në vend të Gianluigi Donnarummas, i cili u transferua te Manchester City verën e kaluar.
Gjatë dy vjetëve të fundit, skuadra e Luis Enriques ka dominuar pothuajse në të gjitha garat ku është paraqitur.
Nga fillimi i edicionit të kaluar, Parisi ka fituar tetë nga dhjetë trofetë e mundshëm. Ka humbur vetëm Kupën e Botës për Klube vitin e kaluar dhe Kupën e Francës këtë vit.
Nëse vazhdon dominin edhe edicionin e ardhshëm, Parisi mund të bëhet vetëm skuadra e pestë që fiton tre tituj radhazi në kupën evropiane.
Por parisienët kanë ende shumë punë për të bërë për të thyer rekordin e Real Madridit prej pesë trofeve evropianë rresht, të fituar midis viteve 1956 dhe 1960.
Finalja e kaluar u fitua bindshëm. Por ndaj Arsenalit ishte shumë vështirë. Londinezët kaluan herët në epërsi. Më pas PSG kishte dominimin, por mezi gjeti golin e barazimit. Dhe finalja më pas u vendos në penallti. Dy gjuajte të londinezëve ishin të pasakta.
PSG-ja ka shënuar më së shumti gola në Champions, 45, dhe kishte mesataren më të lartë të posedimit të topit, prej 60,5 për qind.
Parisi e zhvilloi finalen e tretë evropiane në histori. Në vitin 2020 humbi nga Bayerni në Portugali.
Por me titullin e dytë, PSG është bërë klubi francez me paraqitjen më të mirë në garë. Ka tejkaluar Marseillen, që ka një titull.
Luis Enrique shkon gjurmëve të Bob Paisleyt, Pep Guardiolas, Carlo Ancelottit dhe Zinedine Zidane duke u bërë vetëm trajneri i pestë që fiton tre tituj evropianë.
Spanjolli, që u zyrtarizua trajner i Parisit në korrik 2023, e kishte fituar Championsin edhe si lojtar i Barcelonës në vitin 2015.
Enrique fillimisht kishte refuzuar PSG-në, “për shkak të yjeve të shumtë në skuadër”. Por ndryshoi mendje pasi iu premtua se mund të ndryshonte kulturën e klubit dhe pasi iu ndryshua pyetja që iu bë. Nuk iu tha se si mund të fitohet Championsi, por çfarë futbolli do të luajmë.
Në verën e vitit 2024, PSG mbeti pa Kylian Mbappe që kaloi te Real Madridi. Dhe kjo si duket ka ndihmuar në ekuilibrin e ekipit.
Skuadra i shënoi 44 gola më shumë në të gjitha garat në edicionin e parë pas largimit të superyllit për te Madridi, në krahasim me edicionin e fundit të Mbappes në Paris.
Enrique ka respektin e skuadrës dhe drejtuesve, njëjtë si të gjithë botës së futbollit. Po ashtu ka ndërtuar marrëdhënie të shkëlqyer me tifozët parisienë.
Pas fitores në Champions vitin e kaluar, tifozët shfaqën një flamur në nderim të trajnerit dhe vajzës së tij Xana, që vdiq në moshën nëntëvjeçare në vitin 2019.
Në Budapest, një baner gjigant tregonte Enriquen duke ngritur trofeun e famshëm. Pati brohoritje pasionante nga tifozët e PSG-së, derisa Enrique po ngritej në ajër nga lojtarët pas triumfit në finalen e së shtunës.
Pasi mori medaljen, ai vallëzoi para tifozëve bashkë me presidentin e klubit, Nasser Al-Khelaifi, duke festuar trofeun që për kaq kohë i kishte “ikur” klubit nga Parisi. Dhe Enrique e solli atë te Parisi. Jo një herë, por dy herë rresht.