Duket që të gjithë duan të kenë një fotografi me Enrique Macaya Marquez. Selektori i Argjentinës, Lionel Scaloni u ndal për një fotografi me gazetarin para ndeshjes në grup me Jordaninë.
Macaya ka një histori të veçantë.
Në karrierën që përfshinë thuajse shtatë dekada, 91-vjeçari ka mbuluar plot 18 Botërorë rresht.
Botërori i parë i tij ishte në vitin 1958, kur luante djaloshi 17-vjeçar, Pele.
Macaya ishte 24-vjeçar kur u dërgua në Suedi për atë Kupë të Botës.
Edhe
Messi dhe Scaloni, gati të pamposhtur në fazën nokaut
Një nga detyrat e para të tij ishte ta shihte Brazilin e Peles duke luajtur ndaj Austrisë. Por kujtimi i parë i tij është ai që u njoh si “Katastrofa e Suedisë” – humbja 6:1 e Argjentinës nga Çekosllovakia.
“Mbetet në kujtesën time si një disfatë e jashtëzakonshme për ekipin përfaqësues të Argjentinës”, thotë veterani.
“Ne nuk dinim thuajse asgjë për Çekosllovakinë. Nuk kishim asnjë informacio, asnjë të dhënë dhe çekosllovakët na habitën”.
Gati shtatë dekada më vonë, Macaya e ka parë futbollin të transformohet jashtëzakonisht shumë. Ai ka raportuar për Pelen, Diego Maradonën, Lionel Messin dhe lojtarë të tjerë të shumtë të shkëlqyer.
Televizioni është bërë dixhital, statistikat janë bërë të menjëhershme dhe Kupat e Botës janë zgjeruar e janë shndërruar në spektakle globale.
Megjithatë, një gjë ka mbetur e pandryshuar: refuzimi i Macayas për të bërë vlerësime.
Kjo filozofi formësoi pikëpamjen e tij kur Scaloni u emërua papritur trajner i Argjentinës në vitin 2018.
“Nuk kisha shpresa të mëdha”, thotë Macaya, që është komentator në “DSPORTS Radio. “Nuk e njihja”.
Edhe
Scaloni: Nuk duhet ta përziejmë politikën me futbollin
Megjithatë Scaloni e ka udhëhequr Argjentinën në njërën prej periudhave më të lavdishme të saj.
Duke parë sukseset e Scalonit, Macaya ka përforcuar idenë tek e cila ka besuar gjithë karrierën e tij.
“Nuk mund të gjykosh pa një kuptim shumë më të thellë dhe më të plotë të personit për të cilin bëhet gjykimi”, thotë ai.
Lojtari i preferuar i gazetarit tek Argjentina është Lionel Messi. Ai refuzon të bëjë krahasim të Messit me Maradonën. Thotë se nuk ka mënyrë për të “matur” lojtarët gjatë gjithë historisë.
“Kohërat kanë ndryshuar. Kundërshtarët kanë ndryshuar. Çdo lojtar është unik. Mund të them se kush më pëlqeu personalisht, por kjo nuk do të thotë se besoj se ai lojtar ishte më i miri në histori”.
Është përgjigje që shpjegon pse Macaya ka mbetur i respektuar kaq gjatë. Në vend të renditjeve përfundimtare ai preferon nuancat.
Ai refuzon edhe të krahasojë Brazilin e Peles në vitin 1970 dhe Argjentinën e Maradonës në vitin 1986.
“Nuk ka asnjë mënyrë për t’i krahasuar. Stili është krejt ndryshe”, thotë Macaya.
Edhe
Lionel Messi bën që edhe ecja të quhet mjeshtëri
Argjentinasi thotë se fitoret bartin lavdinë, por edhe humbjet kanë rëndësi.
“Ka shumë ndeshje të paharrueshme. Rezultatet negative janë gjithashtu pjesë e asaj kujtese. Fitimi i Kupës së Botës është kujtimi im i preferuar. Dhe në rastin e Maradonës mendoj se trofeu i kishte dhënë atij përgjigjen që e kërkoi gjithë jetën – të ishte kampion bote”.