Futboll

Drita në mesin e klubeve pa humbje në “Conference League”

Drita

Drita është në mesin e gjashtë skuadrave që nuk kanë pësuar humbje në fazën e ligës në Ligën e Konferencës.

Faqja zyrtare e “Conference League” ka publikuar një fotografi të martën që paraqet gjashtë skuadrat e vetme që nuk kanë pësuar humbje.

Drita pas katër xhirove të para ka dy fitore dhe dy barazime. Fitoi ndaj Shelbournet dhe ndaj Shkëndijës së Tetovës, kurse barazoi me KuPS-in dhe Omonian.

Skuadra nga Gjilani ka tetë pikë në vendin e tetë.

Në Ligën e Konferencës garojnë 36 skuadra. Pas gjashtë xhirove të fazës së ligës, tetë të parat avancojnë direkt në një të tetën e finales. Skuadrat prej vendit të nëntë e deri në vendin e 24-t avancojnë në plejofin e fazës nokaut. Ndërkohë skuadrat prej vendit të 25-të e deri në vendin e 36-të, eliminohen.

Skuadrat pa humbje në Ligën e Konferencës, pos Dritës janë Samsunspori, Strasbourgu, Rakowi, AEK Larnaca dhe Jagiellonia.

Deri në fund të stinorit të rregullt në Ligën e Konferencës, Drita do t’i zhvillojë edhe dy ndeshje. Më 11 dhjetor luan në “Fadil Vokrri” ndaj AZ Alkmaarit holandez, ndërsa më 18 dhjetor luan në udhëtim te Rayo Vallecano në Spanjë.