Drita synon tjetër fitore kampionale para se të kthejë gjithë fokusin te ndeshja e Ligës së Konferencës.
Kampionia në fuqi e Kosovës në futboll, Drita, të shtunën nga ora 13:00 luan me Malishevën. Ndeshja zhvillohet në fushën me bari artificial në Gjilan, ndërsa i takon xhiros së nëntë të Superligës.
Drita nisi zbehtë mbrojtjen e titullit, por është kthyer në xhirot e fundit. Aktualisht është e katërta me 11 pikë, tetë më pak se liderja Prishtina.
Malisheva është e gjashta me 10 pikë.
Xhiroja e tetë është zhvilluar më 4, 5 e 6 tetor, ndërsa fundjavën e kaluar nuk kishte ndeshje kampionale për shkak të aktiviteteve të përfaqësueses. Në fundjavë zhvillohet xhiroja e nëntë, ndërsa janë disa ndeshje interesante. Të shtunën prej orës 13:00 është edhe ndeshja Prishtina – Gjilani.
Derisa skuadrat tjera e kanë gjithë fokusin te gara kampionale, te Drita duhet të mendojnë edhe për Ligën e Konferencës. Të enjten e ardhshme në “Fadil Vokrri”, Drita luan me Omonian e Qipros, në kuadër të xhiros së dytë të fazës së ligës.
Një fitore të shtunën ndaj Malishevës do t’i shërbente shumë skuadrës gjilanase.
“Malisheva ka ekip solid. Më tepër e vlerësoj se si funksionon si grup. Shpresoj që edhe nesër të vazhdojmë ku e lamë, të jemi të përqendruar, të fokusuar maksimalisht. Atmosfera është pozitive dhe kjo është e rëndësishme për skuadrën tonë”, ka thënë trajneri i Dritës, Zekirija Ramadani.
Në xhiron e tetë, Drita fitoi 2:1 ndaj Gjilanit në derbin lokal. Ndërkohë Malisheva pësoi 2:1 në shtëpi nga Llapi.
Të dielën janë tri ndeshje tjera të javës së nëntë. Liderja Prishtina, ka udhëtim të vështirë te Drenica në Skënderaj. Ndeshje me rivalitet pritet të jetë ajo mes Llapit e Ferizajt, ndërsa derbi zhvillohet në Suharekë mes Ballkanit e Dukagjinit. Ballkani është i dyti me 15 pikë, ndërsa Dukagjini i treti me 14 pikë.