Futboll

Drita e kërkon në Luksemburg suksesin historik

DRITA

Kampionia e Kosovës në futboll, Drita, të enjten e kaluar e mposhti për herë të tretë Differdangen në këtë edicion të garave evropiane. Drita fitoi 2:1 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Fitoren e katërt ndaj kampionit të Luksemburgut e synon të enjten, për të konfirmuar kualifikimin historik në Ligën e Konferencës.

Ndeshja Differdange – Drita luhet në Luksemburg nga ora 20:00. I takon plejofit të garës së tretë të UEFA-s për nga rëndësia.

Te skuadra e Dritës nuk janë deklaruar të mërkurën për ndeshjen kthyese. Por pas fitores në Prishtinë, trajneri i klubit gjilanas, Zekirija Ramadani, tha se Drita do të udhëtojë drejt Luksemburgut për sukses historik.

Kualifikimi në fazën e ligës në “Konferencë” do të ishte historik për Dritën.

Do të bëhej skuadra e dytë e Kosovës që siguron paraqitjen në Ligën e Konferencës, pas Ballkanit. Skuadra nga Suhareka siguroi dy herë paraqitjen në grupet e Ligës së Konferencës, që tani janë zëvendësuar me fazë të ligës.

“Është vetëm pjesa e parë. E kemi mbaruar 50 për qind të punës e na pret edhe një tjetër. Duhet të jemi të kënaqur me një gol avantazh. Ndodhi ajo që ishte si objektiv primar i yni për të shkuar me një gol avantazh”, kishte thënë Ramadani për KTV-në pas takimit në Prishtinë.

Njëri prej lojtarëve më në formë te Drita në garat evropiane, Veton Tusha, ka bindjen se kampionia e Kosovës mund ta mposhtë Differdangen edhe të enjten. Ai për Dritën ka shënuar tre gola dhe e ka një asistim.

Me fitoren e së enjtes së kaluar, Drita ndali serinë negative të rezultateve. Para ndeshjes kundër Differdanget, Drita kishte seri prej pesë humbjeve, përfshirë edhe disfatën në kuadër të xhiros së parë të Superligës së Kosovës. Humbi nga Ferizaj, ndërsa ka pësuar nga dy herë edhe prej kampionit të Rumanisë, FCSB dhe kampionit të Danimarkës, Copenhagen. 

Drita e kishte mposhtur Differdangen në dy ndeshjet e rrethit të parë kualifikues të Championsit.

Ndeshjen e parë e kishte fituar 1:0 në Prishtinë. Fitoi edhe në Luksemburg, 3:2.

Pasi e eliminoi Differdangen në rrethin e parë kualifikues të Championsit, Drita e vazhdoi rrugëtimin në rrethin e dytë dhe përballë e pati Copenhagenin. Copenhageni, skuadra më e suksesshme e futbollit danez, fitoi me rezultatin e përgjithshëm 3:0 dhe avancoi tutje. Ndërkohë, Drita u bart në rrethin e tretë kualifikues të Ligës së Evropës. Nga FCSB-ja rumune u mposht me rezultatin e përgjithshëm 6:3. Me rezultatin 3:2 u mposht në Bukuresht, ndonëse ishte në epërsi prej 2:0 për kohë të gjatë. Në Prishtinë humbi 3:1.

Nëse arrin në Ligën e Konferencës, klubi gjilanas do të fitojë të paktën 3 milionë e 170 mijë euro.

Në fazën e ligës, Drita do të luante gjashtë ndeshje, me gjashtë kundërshtarë të ndryshëm. Secila fitore do të vlente 400 mijë euro, ndërsa barazimi do të vlente 133 mijë euro.