E shtuna për Dritën mund të jetë ditë e festës për titullin e pestë të kampionit në histori të klubit.
Për të festuar para tifozëve të vet, Drita duhet ta mposht Ballkanin në ndeshjen e xhiros së 33-të të elitës së futbollit kosovar. Ky ballafaqim luhet nga ora 16:00.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoDrita është e para me 63 pikë, tetë më shumë se Ballkani i vendit të dytë. Në rast të fitores së Dritës, diferenca e pikëve do të ishte njëmbëdhjetë. Deri në fund të kampionatit do të mbeteshin edhe nëntë pikë në lojë dhe gjilanasit do të ishin të paarritshëm.
Rëndësinë e ndeshjes e di edhe trajneri i Dritës, Zekirija Ramadani. Të premten në konferencën për shtyp, tekniku shkupjan theksoi se grupi është i gatshëm që ta përsëritë suksesin e vitit të kaluar, kur Drita e fitoi titullin e katërt.
“E dimë që kemi cilësi, kapacitet, për t’u përballur me çdo kundërshtar. Është kundërshtar që nuk e kemi mposhtur këtë vit. Vitin e kaluar kishim tri fitore e një barazim. Tani i kemi tri humbje. Vitin e kaluar kishim tri fitore dhe ishim nëntë pikë para, kurse tani kemi tri humbje nga Ballkani dhe jemi tetë pikë para. Nëse do të më pyesnit si është kjo formulë, nuk do të dija ta zbërtheja. Grupi është i kompletuar për ndeshjen ndaj Ballkanit. Kemi punuar një javë për ndeshjen ndaj këtij kundërshtari. Kemi presion sepse e dimë se çfarë mund të fitojmë. Kundërshtari do të luajë pa presion”, ka deklaruar Ramadani.
Në konferencë për shtyp ishte edhe sulmuesi Kristal Abazaj.
“Me mbështetjen e tifozëve, besoj se do të arrijmë të marrim maksimumin dhe të realizojmë objektivin që kemi që nga fillimi i sezonit”, ka theksuar Abazaj.
Drita titullin e parë e fitoi në edicionin 2002/03. Më pas triumfoi në edicionin 2017/18, 2019/20 dhe 2024/25.
Titullin e pestë në Superligën e Kosovës do ta fitonte edhe trajneri Ramadani. Ai ka triumfuar më herët me Trepçën ’89, Feronikelin, Prishtinën dhe Dritën.
Ramadani me Dritën në edicionin aktual të Ligës së Konferencës shkroi histori duke avancuar deri në plejofin e fazës nokaut. U eliminua nga Celje sllovene, por suksesi ishte shumë i madh.
Ballkani ishte në garë të fortë me Dritën deri disa xhiro më herët. Por, disfata në xhiron e kaluar nga Llapi në Suharekë dhe fitorja e Dritës ndaj Prishtinës së Re, e bëri diferencën e madhe.
Të shtunën luhet edhe ndeshja mes Drenicës dhe Gjilanit, ndërsa Llapi – Dukagjini dhe Ferizaj – Malisheva janë ndeshjet e së dielës.
Malisheva është e treta me 52 pikë, ndërsa Prishtina dhe Gjilani i kanë nga 45 pikë në vendin e katërt e të pestë. Dukagjini dhe Drenica i kanë nga 41 pikë në vendin e gjashtë dhe të shtatë, kurse Llapi i teti, përkatësisht në zonën e barazhit, i ka 39 pikë. Ferizaj me 34 pikë dhe Prishtina e Re me 31 pikë, zënë dy pozitat e fundit në tabelë.
Prishtina e Re dhe Prishtina e luajtën të mërkurën ballafaqimin e kësaj xhiroje. Prishtina e Re fitoi 3:2, duke e shokuar Prishtinën, që lufton për një vend që dërgon në kupat evropiane për edicionin e ardhshëm.
Superliga – XXXIII
E mërkurë
Prishtina e Re – Prishtina 3:2
E shtunë (16:00)
Drenica – Gjilani
Drita – Ballkani
E diel (16:00)
Llapi – Dukagjini
Ferizaj – Malisheva