Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Dhjetë klubet e Superligës u udhëhoqën nga 23 trajnerë, i 24-ti në ardhje

Nevil Dede

Klubi i futbollit Ferizaj ka mision të mbetet në Superligën e Kosovës. Arritjen e objektivit, në fazën finale të garës, Ferizaj do ta synojë me trajnerin e ri, të tretin në këtë edicion. 

Ferizaj të dielën njoftoi për shkarkimin e trajnerit Nevil Dede pas rezultateve negative.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Por Ferizaj nuk është klubi i vetëm që ka bërë ndyshime në shtabin teknik gjatë këtij edicioni.
Kampione për ndryshime është Malisheva.

Malisheva u drejtua fillimisht nga Bekim Isufi. Por pas eliminimit të hershëm në kualifikimet e Ligës së Konferencës, Isufi u largua nga Malisheva. 

Drejtuesit e klubit ia besuan skuadrën Qatip Osmanit, i cili u pasua nga Elon Berisha. Dhe tani Malisheva drejtohet nga Bylbyl Sokoli, i cili në fillim të edicionit punoi te Drenica. 

Skuadra nga Skenderaj tashmë po drejtohet nga Thomas Brdariq.

Pos Ferizajt edhe Prishtina, Dukagjini dhe Prishtina e Re janë drejtuar nga tre trajnerë.

Prishtina e nisi me Arsim Thaqin. Thaqin e zëvendësoi me Afrim Tovërlanin, ndonëse ishte në vendin e parë. Por pas rezultateve negative, Prishtina ndau rrugët me Tovërlanin. Tani ekipi drejtohet nga Alban Dragusha.

Arsim Thaqi po e drejton Dukagjinin. Nën drejtimin e tij, Dukagjini është larg nga zona e rënies, ndërsa është në gjysmëfinale të Kupës. Dukagjini është në vendin e gjashtë me 38 pikë.

Para Thaqit, ekipin nga Klina e drejtuan Ismet Munishi dhe Ndue Përgjokaj.

Prishtina e Re e nisi me Elon Berishën, vazhdoi me Shpëtim Babajn, ndërsa aktualisht drejtohet nga Qëndrim Kida.

Ballkani, Gjilani e Drenica janë udhëhequr nga dy trajnerë. Gjilani punoi me Ardian Nuhiun dhe Debatik Currin; Drenica me Sokolin dhe Brdariqin dhe Ferizaj me Arsim Abazhin dhe Nevil Deden.

“Për zhvillimet e radhës, klubi do të njoftojë me kohë”, shkruan në njoftimin e Ferizaj pas shkarkimit të Dedes. Pra pritet një trajner i ri.

Drita e Llapi janë skuadrat e vetme që me shumë gjasë edicionin 2025/2026 do ta mbyllin me trajnerët aktualë, Zekirija Ramadanin, përkatësisht, Tahir Batatinën.

Trajneri Bekim Shotani numëron disa faktorë pse shtyjnë klubet të bëjnë ndryshime edhe kur ekipet ndodhen në situata të mira apo vendimtare.

“Po vazhdohet me avazin e vjetër, nuk ka ndonjë ndryshim të madh sa i përket qasjes ndaj trajnerëve dhe planifikimit të punës që po bëjnë. Për fat të keq, pak, shumë pak ekipe janë që po gjejnë stabilitet brenda dhe po kanë besim te trajnerët, kurse shumica, pavarësisht luftës për dalje në Evropë apo rrezikut për të rënë nga liga, po kanë një lloj euforie dhe mosbesim. Po mungon ana profesionale e njerëzve që janë brenda klubit. Shumë shpejtë po bien në ndikim, ndoshta edhe analistët në media, ndoshta edhe nga presioni i rrjeteve sociale, po bëjnë ndryshime joprofesionale. I shoh të gabueshme këto lëvizje”, ka thënë Shotani. 

Një pjesë të fajit ai ua vë edhe trajnerëve.

“Faji është edhe te ne, trajnerët. Pasi po nënshkruajnë kontrata joprofesionale. Trajnerët që po vijnë nga vendet tjera po janë me kontrata më profesionale. Po veprojnë me mençur se ne. Po përfitojnë në shumë aspekte më shumë se ne”, është shprehur Shotani.


Trajnerët e 10 klubeve gjatë këtij edicioni

Malisheva: Bekim Isufi, Qatip Osmani, Elon Berisha, Bylbyl Sokoli

Prishtina: Arsim Thaqi, Afrim Tovërlani, Alban Dragusha

Dukagjini: Ismet Munishi, Ndue Përgjokaj, Arsim Thaqi

Prishtina e Re: Elon Berisha, Shpëtim Babaj, Qëndrim Kida

Ballkani: Orges Shehi, Mislav Karoglan

Gjilani: Ardian Nuhiu, Debatik Curri

Drenica: Bylbyl Sokoli, Thomas Brdariq

Ferizaj: Arsim Abazi, Nevil Dede

Drita: Zekirija Ramadani

Llapi: Tahir Batatina