Futboll

City sfidon Realin dhe mund ta vendosë të ardhmen e Alonsos

Alonso Guardiola real city

E ardhmja e Xabi Alonsos si trajner i Real Madridit nuk është e sigurt. Në mediat spanjolle ka pasur raportime të shumta që Alonso do të shkarkohet nëse Real Madridi mposhtet nga Manchester City.
Kjo e bën edhe më të rëndësishme ndeshjen e së mërkurës mes Real Madridit dhe Manchester Cityt. Ndeshja zhvillohet në “Santiago Bernabeu” nga ora 21:00.

Alonso nisi mirë në krye të Realit, por skuadra mbretërore lëshoi shumë pikë në xhirot e fundit në La Liga. Dhe kjo ka rritur maksimalisht presionin te tekniku spanjoll .
Alonso megjithatë ka besim në skuadër.
“Ky është ekip dhe ne jemi të gjithë së bashku në këtë. Kur je trajner i Real Madridit duhet të jesh gati për të përballuar momentet e vështira me qetësi e unitet. Kështu ndihem. Po shikoj përpara për atë që vjen, duke nisur nga ndeshja me Cityn”, ka thënë Alonso në konferencë për shtyp, të martën.
Ai ka shtuar se te Madridi e dinë që mund të kthehen te rezultatet pozitive. Alonso ka theksuar se në futboll gjërat mund të ndryshojnë shpejt, për të mirë e për të keq. 
“Fokusi im është tek ekipi, në fushë dhe te ndeshja e radhës. Këtë mund ta kontrolloj dhe në këtë jam i fokusuar”, ka vazhduar Alonso.

Ai e sheh ndeshjen e radhës si mundësi. Pret që skuadra të ketë lidhje me tifozërinë në “Bernabeu”. Për këtë Madridit i duhet paraqitje e mirë, që i mungoi në ndeshjet e kaluara.

Real Madridi ka fituar katër prej pesë ndeshjeve në fazën e ligës në Champions. Ndeshja e së mërkurës i takon xhiros së gjashtë. City ka dy pikë më pak se Madridi. Ka tri fitore, një barazim e një humbje.
Pep Guardiola, trajneri i Manchester City, e di se sa e rëndësishme është paraqitja e mirë në “Bernabeu” dhe presionin që di të sjell ky stadium.

“Vitin e kaluar kemi luajtur me problem ndaj Real Madridit, por të gjitha ndeshjet tjera ishin të ngushta dhe të mira. Kemi lojtarë të rëndësishëm që do ta bëjnë paraqitjen e parë në Bernabeu. Lojtarët më të mëdhenj, që bënë histori për një dekadë – Kevin De Bruyne, Kyle Walker, Ilkay Gundogan, John Stones - nuk janë këtu. Shumë janë të rinj dhe duan ta shijojnë këtë. Është vend i mirë për të dëshmuar veten dhe për të parë se sa je i mirë si ekip”, ka thënë Guardiola.

Të mërkurën mbrëma janë edhe disa ndeshje të rëndësishme të xhiros së gjashtë të Championsit.
Kampioni në fuqi, Paris Saint-Germaini, sfidohet në Spanjë nga Athletic Bilbao. Kampioni i Italisë, Napoli, luan në Portugali ndaj Benficas. Juventusi e pret Pafosin, me të cilën skuadër ka pikë të njëjta.
Ndeshjet e tjera që luhen prej orës 21:00 janë: Borussia Dortmund – Bodo/Glimt, Club Brugge – Arsenal, Bayer Leverkusen – Newcastle United. Nga ora 18:45 janë takimet Qarabag – Ajax dhe Villarreal – Copenhagen.

Xhiroja e shtatë e fazës së ligës në Champions zhvillohet më 20 e 21 janar.